Jepet fjala përfundimtare ndaj Dodë Gjikolajt, i akuzuar për vrasje me pagesë me eksploziv në Gjakovë

Gjakovë | 15 Mar 2024 | 15:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar të enjten më 20 mars seancën ku do të jepet verdikti ndaj të akuzuarit Dodë Gjikolajt, për vrasjen e Haxhi Ahmetit, në një akt ku u përdor eksplozivi si mjet, raporton Ekonomia Online.

Në seancën e mbajtur sot, prokurorja Ervehe Gashi dhe përfaqësuesi i të dëmtuarve, në fjalën përfundimtare, kërkuan dënimin maksimal të të akuzuarit Gjikolaj. Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Xhemajl Ademaj kërkoi lirimin, pasi sipas tij, akuza është e mbështetur në pretendime të pabazuara dhe të paargumentuara.

Prokurorja Gashi tha se nga provat e administruara, dëgjimi i dëshmitarëve si dhe prova të tjera, është vërtetuar përshkrimi faktik i veprave për të cilat ngarkohet i akuzuari. Ajo i propozoi gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Unë konsideroj se gjendja faktike është vërtetuar nga deklarata e dëshmitarëve, të dëmtuarve si dhe nga provat materiale, si raporti i autopsisë, raporti i ekspertimit të gjurmëve daktiloskopike, raporti i ekspertimit të ADN dhe raporte tjera të cekura, si në aktakuzë, ashtu edhe në fjalë përfundimtare, dhe konsideroj se me veprimet e të akuzuarit janë formuar elementet për dy veprat penale.”, tha prokurorja Gashi.

Avokati i familjes Ahmeti, Prek Kola, tha se shpreson që drejtësia të marrë vendim të merituar bazuar në gjetjen e provave të mjaftueshme.

“Sot u dha fjala përfundimtare e çështjes së akuzuarit Dodë Gjikolaj. Ne si palë e dëmtuar i kemi paraqitur të gjitha pretendimet tona. Ka dyshim të bazuar bazë se ka kryer një vepër penale. Ne shpresojmë që drejtësia do ta marrë një vendim të merituar ndaj të akuzuarit, pasi që ka prova që ky ka kryer veprën penale dhe besojmë në drejtësi. Të mërkurën është shpallja e aktgjykimit dhe të marrë dënimin e merituar”.

Sipas tij, nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe të dëmtuarve është vërtetuar në tërësi gjendja faktike.

“A.K. ka deklaruar se është takuar disa herë me këtu të akuzuarin Dodë Gjikolaj, ku i potencon edhe pikat e takimit se ku është takuar në Shqipëri, në shtëpinë e të akuzuarit Dodë Gjikolaj, e potencon edhe faktin se i akuzuari ka qëndruar në shtëpinë e të ndjerit H.A. rreth një muaj, madje i ka pasur edhe çelësat e tij”, tha avokati Kola.

Sipas Kolës, nga kjo vërtetohet aktakuza se i akuzuari e kishte përgatitur terrenin për vrasjen e tani të ndjerit H.A.

“I akuzuari një ditë para ditës kritike i kishte shkruar të ndjerit H.A. për t’u siguruar se gjendet në Kosovë, ashtu siç e kishte përgatitur edhe vrasjen”.

Në fund tha se si palë e dëmtuar parashtrojnë kërkesë pasurore juridike.

Ndërsa, avokati mbrojtës Xhemajl Ademaj tha se e gjithë përmbajtja e aktakuzës në raport me të pandehurin Dodë Gjikolaj është e mbështetur në pretendime të pabazuara dhe të paargumentuara.

“Ky shqyrtim gjyqësor ka sjellë në sipërfaqe një ndryshim të madh në mes të gjetjes së fakteve nga aktakuza dhe asaj pas shqyrtimit gjyqësor për të cilin akuzohet i pandehuri”.

Sipas tij, asnjë nga provat e paraqitura nuk dëshmojnë se i pandehuri Gjikolaj ka qenë në vend të ngjarjes.

“Raporti i fotografisë të teknologjisë informative, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk kanë treguar se Dodë Gjikolaj ka qenë në vend të ngjarjes; raporti ekzaminues i institutit forenzik të Cyrihut ka nxjerrë përfundim se cilësia e imazhit të sekuencës së videos nuk lejon të bëhet ndonjë deklaratë lidhur me identitetin e personit në video”, tha avokati Ademaj.

Në fund të fjalës, ai propozoi të merret aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit të tij.

Gani Ahmeti, djali i të ndjerit, tha për Ekonomia Online se shpreson që gjykata të marrë vendim me dënim maksimal.

“Sot ishte fjala përfundimtare në rastin e babait tim. E falënderoj prokurorin që më në fund e ngrit në maksimum për të akuzuarin me vrasje me pagesë dhe e lus gjykatën që ta marrë parasysh dënimin dënimin me burgim të përjetshëm, për me na shlirua edhe neve. Ky është vrasës me pagesë, është paguar. Të arrestohet edhe paguesi Bajram Ahmeti”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 5 gusht 2022 nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Dodë Gjikolaj, akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta, tashmë të ndjerin Haxhi Ahmeti.

Aktakuza thotë se Gjikolaj kishte vendosur eksploziv në dyer të oborrit të H.A. “Në momentin kur i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit, pikërisht kur tenton t’i mbyll dyert e oborrit, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon materialin eksploziv, ku me këtë rast mbetet i vdekur në vend, H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K”.

Me këtë rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Gjikolaj akuzohet edhe për veprën penale të posedimit të paautorizuar të materialit eksploziv, të tipit dhe të natyrës së panjohur nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Dodë Gjikolaj, banues në Velipojë të Shqipërisë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohej si pjesë e një bande që kryente vrasje me pagesë në Kosovë. Ai ishte arrestuar në tetor 2020 në Gjirokastër.

Të ngjashme