Për një javë rresht qyteti i Pejës do të jetë strehë e filmave të animuar. Kjo pasi që nga 14 gushti do të mbahet edicioni i tetë i festivalit të filmave të animuar “Anibar”, raporton Ekonomia Online.
Përveç filmave të animuar pjesë e këtij festivali do të jenë punëtori, prezantime, masterklasa, takime me regjisorët, debate, ndeja, pikniqe në natyrë, ushqim dhe pije, e shumë aktivitete të tjera.
“Reclaim the city” është tema e edicionit të tetë, temë kjo e cila pritet të jetë një nismë që do të trajtohet edhe viteve të ardhshme, raporton EO.
Drejtori i festivalit, Vullnet Sanaj, tha se këtë vit ka pasur një rritje të filmave që kanë marrë pjesë.
“Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të madhe të filmave që kanë marrë pjesë në kategori të ndryshme në festival. Këtë vit do të shfaqen deri në 300 filma në katër kinema të ndryshme. Dy prej tyre janë të hapura, kinema “Liqeni”dhe kinema “Kubat” dhe dy të tjerat janë kinema të mbyllura”, tha Sanaj.
Ai poashtu tha se punëtoritë që do të zhvillohen këtë vit do të kenë për qëllim avancimin e aftësive dhe aftësimin e të rinjve për filmat e animuar, raporton EO.
Ndërsa, Pranvera Selimi nga Festivali “Anibar” tha se krahas aktiviteteve të ndryshme do të ketë edhe ndeja të shumta në të cilat do të performojnë artistë të ndryshëm.
“Gjatë festivalit do të performojnë artistë prej llojeve të ndryshme të muzikës. Pra, jemi munduar që sa më shumë të plotësojmë kërkesat e audiencës”, u shpreh Selimi.
“Anibar” do të filloj më 14 gusht dhe do të përfundoj më 20 gusht.