Meksika me rekord vrasjesh, ekzekutohet një tjetër gazetar

Prishtinë | 25 Kor 2018 | 09:57 | Nga

Një gazetar u qëllua për vdekje në qytetin turistik meksikan të Playa del Carmen, një vend që është bërë famëkeq për sulme të dhunshme dhe vrasje ndaj punonjësve të medias.

Vrasësit hapën zjarr mbi Ruben Pat, themeluesin e faqes së internetit Playa News, në orët e hershme të së martës, jashtë një kafeneje pranë plazhit, thanë prokurorët nga shteti i Quintana Roo në një deklaratë.

Më pak se një muaj më parë, një tjetër gazetar i portalit Playa News u qëllua për vdekje, në një zonë tjetër të shtetit.

Ruben Pat pati mbuluar çështjet e sigurisë dhe kishte marrë kërcënime për gjashtë muajt e fundit, sipas një prej kolegëve të tij, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të frikës nga ekzekutimi.

Quintana Roo, e cila është shtëpia e qytetit turistik të Kankunit, ishte një nga vendet më të sigurta të Meksikës, por siguria është përkeqësuar, pasi bandat luftojnë për të kontrolluar tregjet fitimprurëse të drogës, transmeton Tch.

Të paktën shtatë gazetarë të tjerë janë vrarë në Meksikë deri më tani këtë vit, sipas të dhënave të ofruara nga organizata të ndryshme joqeveritare.

Po gjatë ditës së sotme, qeveria meksikane ka publikuar një raport që tregon se vrasjet janë rritur me 16 % në gjysmën e parë të 2018-ës, duke shkuar në shifra rekord.

Ministria e Brendshme tha se ka pasur 15 973 vrasje në 6 muajt e parë të vitit, krahasuar me 13 751 vrasje në të njëjtën periudhë të vitit 2017. Shifra është më e larta që kur të dhënat e krahasueshme nisën të regjistroheshin, përfshirë kulmin e luftës së drogës në Meksikë në vitin 2011.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme