Në orët vendimtare para takimit të shumëpritur mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump, diplomacia evropiane është vënë në lëvizje, me fokus ruajtjen e unitetit perëndimor.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë thirrje për kohezion të fortë mes aleatëve, duke e cilësuar atë si kusht të panegociueshëm për arritjen e paqes. Ajo, së bashku me liderë të tjerë të Bashkimit Evropian, zhvilloi pasditen e djeshme një bisedë telefonike me presidentin Zelensky, në kuadër të koordinimit të qëndrimeve përpara samitit që pritet të mbahet në Mar-a-Lago.
Gjatë bisedës, Meloni theksoi se fragmentimi i aleancës perëndimore do të ishte përfitimi më i madh për Moskën. Ajo ritheksoi se është “e rëndësishme, tani më shumë se kurrë, ruajtja e unitetit të vizionit midis partnerëve evropianë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Sipas kryeministres italiane, ky koordinim trepalësh përbën çelësin për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm, i cili po i afrohet vitit të katërt.
Mesazhi i Romës zyrtare ishte i qartë: paqja nuk mund të ndërtohet mbi dobësi, por mbi forcë të përbashkët. “Vetëm përmes këtij uniteti të fortë vizioni,” citohet të ketë thënë Meloni, “Rusia mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj dhe të inkurajohet të demonstrojë një gatishmëri të vërtetë për t’u ulur në tryezën e negociatave.”
Kjo lëvizje diplomatike vjen në një moment të ndjeshëm, kur Evropa synon të sigurojë që çdo marrëveshje e mundshme mes Uashingtonit dhe Kievit të përfshijë interesat e sigurisë së kontinentit dhe të çojë drejt një “paqjeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.