Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i shoqëruar nga deputetë, anëtarë të kryesisë dhe shumë zyrtarë të tjerë të kësaj partie, kanë bë sot homazhe në Kompleksin e varrezave të familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
“Sa herë që vijmë këtu, në Prekazin e lavdisë së përjetshme, veçanërisht në datat 5, 6 dhe 7 mars, në datat e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me nderim dhe përulje e me respektin maksimal, e përkujtojmë luftën titanike dhe sakrificën sublime të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se këto data kanë shënuar kthesën më të madhe në historinë e re të Kosovës, sepse jo vetëm kanë zgjuar vëmendjen e të gjithë botës, por edhe vetëdijen e gjithë kombit tonë, duke e vulosur të vërtetën se pa një kryengritje dhe një luftë të armatosur, populli i Kosovës nuk do të fitonte asnjëherë lirinë.
“Andaj, pikërisht këtu në Prekaz, 24 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e fitoi fuqinë që e kërkonte për t’u bërë udhëheqëse e çlirimit të Kosovës, e më pas trasuese e rugëtimit drejt pavarësisë dhe shtetit që e kemi sot. Ndërsa sot, çdo vizitë në Prekaz na shërben për t’u frymëzuar secili prej nesh që kemi një detyrë e përgjegjësi publike, për të bërë punë të mira për vendin dhe për të vazhduar ndërtimin e një shteti të zhvilluar, i cili i ofron perspektivë e dinjitet secilit qytetar të Kosovës”, tha Krasniqi.
“Edhe në këto momente do të kishim dëshirë t’i kishim pranë nesh edhe bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të gjithë të tjerët që sot nuk janë këtu, por që po e vazhdojnë një betejë të re për të drejtën tonë, për të vërtetën dhe për historinë tonë”, tha Krasniqi.