Sot është dita e vdekjes së filozofit të njohur gjerman, Immanuel Kant-it. Ky mendimtar kaloi në amshim më 12 shkurt të vitit 1804 në qytetin e tij të lindjes në Königsberg. Thuhet se kurrë nuk ishte larguar nga ky qytet, që në atë kohë i takonte Prusisë, kurse sot është pjesë e Rusisë dhe njihet me emrin Kaliningrad.
Çuditërisht dje ishte data vdekjes, po ashtu e një filozofi tjetër të madh, Rene Dekart-it. Mendimtari francez kishte vdekur më 11 shkurt të vitit 1650, në Stokohlm të Suedisë, si pjesëtar i pallatit të mbretëreshës Christina, pallat ky, që atëbotë shërbente si një vendtakim i njerëzve me të famshëm dhe me të ditur të kohës.
Natyrisht, jetëshkrimi i Dekartit ishte krejt tjetër nga ai i Kantit. Sepse për dallim nga i dyti, i pari gjatë jetës së tij kishte lëvizur nëpër shumë qytete evropiane. Si i ri ishte zhvendosur në Paris, nga qyteti i tij i lindjes. Në kryeqytetin e Francës nuk kaloi shumë kohë dhe u tërhoq i tëri nga shoqëria e tij, duke u dhënë me tërë qenien pas shkencave. Mirëpo, pas dy viteve u kuptua vendndodhja e tij. Dhe përsëri u përfshi në botën e madhe. U zhvendos në Holandë, madje duke u bërë pjesë e shërbimit ushtarak si vullnetar gjatë Luftës Tridhjetë Vjeçare. Më pastaj një pjesë e të jetës e kaloi në Nurenberg, në Pragë, në Poloni, Zvicër, Prusi, duke u zhvendosur edhe një herë në Holandë, vend ky në të cilën e gjeti qetësinë e kërkuar të mendimit dhe ku i shkroi disa nga veprat e tij kryesore. Dhe në fund në Suedi.
Me këta dy filozofë lidhet përpjekja heroike moderne e çlirimit të mendimit nga çdo tutelë dhe shtrëngesë e jashtme, si dhe synimi për ta shndërruar atë në kumt të sigurt të epokës. Kështu, secili me mënyrat e veta pat ndikuar në afirmimin e tempullit sublim të mendjes dhe shndërrimin e saj në parim dhe pikënisje absolute të qenies.
Hegeli në ligjëratat e tij mbi “Historinë e Filozofisë”, konstaton se me R.Dekart-in, lirisht mund të thuhet se u lind filozofia moderne në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Mendimi, pas shumë bredhjeve rikthehet në shtëpinë e tij.
Kështu, për Dekartin çdo gjë duhet të nisë nga mendimi. Ky i fundit mund të fundamentohet mbi vetveten, dhe jo mbi ndonjë autoritet tjetër të jashtëm, qoftë fetar, apo teoritë paraprake filozofike. Ndërkohë, ky fillim absolut si pikënisje duhet ta ketë dyshimin. Pra në këtë mënyrë zhveshja e të gjitha përcaktimeve tjera u shpall si një kusht primar i filozofisë.
Natyrisht, sipas Hegelit, skepticizmi kartezian dallon nga skepticizmi antik. Sepse për këtë të fundit, dyshimi shpallet si qëllim përfundimtar i filozofisë, ngase asnjë njohje nuk është e mundur, kurse për filozofin francez dyshimi metodik në fund duhet të rezultojë me një fillim të vërtetë dhe njohje të qëndrueshme. E, sipas Rene Dekartit deri sa ne mund të dyshojmë në shumëçka që na rrethon dhe që vjen nga shqisat, për shkak se ato nuk janë një mjet i sigurt i njohjes, madje edhe nga trupi ynë, në fund megjithatë s’mund të dyshojmë se jemi ne ata që mendojmë. Dhe kjo siguri në mendim qëndron në themel të sentencës së tij të njohur “Mendoj, pra jam” (Cogito ergo sum – Je pense donc je suis).
Kështu, me këtë formulim u përurua parimi i njohur kognitiv i Unit mendor, i cili ishte përcaktues në zhvillimet e mëvonshme të filozofisë evropiane. Se cilat ishin kufizimet e kësaj metode i tejkalon caqet e këtij shtjellimi. Madje, sipas Frederick C. Beiser, në librin e njohur “German Idealism: The Struggle against Subjectivism, 1781-1801” e gjithë tradita e idealizmit filozofik gjerman, duke filluar nga idealizmi transcendental i Kantit, ai i Fichtes, dhe idealizmi absolut i Shellingut dhe në fund Hegelit ishte një “kryqëzatë” teorike kundër subjektivizmit dekaratian. Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim kishin dhënë edhe poetët romantik sikur se, Holderlini etj
E kjo traditë fillon pa mëdyshje me Kantin. Ky filozof synonte që t’i tejkalonte kufizimet si të metafizikës tradicionale ashtu edhe të empirizmit anglez. Sipas tij, asgjë nuk gjendet në arsyeje që me parë të mos ketë kaluar në shqisa. Mirëpo, kategoritë e së parës kanë karakter aprioristik, pra janë para përvojës, me anë të të cilave rregullohet kjo e fundit. Dhe na mundësojnë t’i njohim fenomenet në mënyrë të domosdoshme dhe universale. Njohja jonë nuk mund të depërtojë përtej materialit receptiv shqisor. Gjërat në vetvete s’mund të njihen. Prandaj një nga detyrat e filozofisë ishte që t’i hulumtonte kushtet e njohës njerëzore me qëllim që ta shndërronte metafizikën në një shkencë të qëndrueshme.
Ky qëllim epistemologjik u kritikua më vonë nga Hegeli me anë të asaj thënies se njohur, se Kanti “dëshiron t’i mësoj njerëzit të notojnë para se të futen një ujë”. Sepse sipas përfaqësuesit të idealizmit absolut gjerman, nuk mund të ndahet procesi i njohjes së kushteve nga vetë njohja. Prandaj, për Hegelin ndonëse kjo filozofi i dha fund metafizikës dogmatike objektive, megjithatë përfundoi në një subjektivizëm tjetër dogmatik. Kurse kontradiktat më të njohura të kësaj filozofie ishin ato që i karakterizuan antinomitë e mendjes. Sepse kjo e fundit duke qenë se prodhon “objekte” që nuk mund t’i njoh, detyrohet ta pranojë vetëm rolin e tyre rregullativ.
Si pasojë e këtyre presioneve teorike, Kanti i zhvendosi hulumtimet e tij në fushën e mendjes praktike. Në këtë sferë, ndryshe nga natyra, mendja afirmohet si ligjvënëse e moralit. Pikënisje e kësaj filozofie kumtohet liria e plotë e vullnetit. Etika bëhet e mundur, pikërisht nga aftësia e njeriut për të vepruar për hir të ligjit moral. Vullneti mund të jetë heteronom për aq kohë sa përcaktimi i tij nuk derivon nga vetvetja, por nga qëllimet e jashtme. Bie fjala, nëse vullneti kushtëzohet nga dëshirat nuk është autonom dhe se veprimi njerëzor në këtë rast s’mund të jetë moral, sepse ai i takon sferë së natyrës, ndjenjave etj, dhe jo lirsë njerëzore. Në funksion të afirimimit të veprimeve të pastra etike, të pakushtëzuara nga asgjë tjetër, ku mendja praktike shndërrohet në ligjdhënse të vetevetës, Kanti e formuloi imperativin e njohur kategorik, i cili na urdhëron që “maksima e veprimit personal të mund të shndërrohet në maksime universale”. Kurse trajtimi i tjetrit duhet të jetë si qëllim dhe jo si mjet. Falë kësaj formule mund të harmizohet vullneti partikular me vullnetin universal.
Natyisht, për Hegelin, kjo etike ishte e zbrazët, pa përmbajte dhe formale, sepse sipas këtij mendimtari gjerman, prirjet dhe pasionet tona, të cilat për moralin mund të jenë burim i së ligës, nuk mund të luftohen në këtë mënyrë, por ato mund të kanalizohen, brenda një rutine tjetër, që Hegeli e quan si “Sittlichkeit”. Sidoqoftë, dallimi filozofik ndërmjet Hegelit dhe Kantit për problemin etikës, është një temë tjetër.
Ajo që është me rëndësi të cekët në këtë rast, është se Kanti ishte aktiv filozofikisht në atë periudhë që ndryshe quhet, si epoka e iluminizmit. Dhe ky filozof u shpreh me admirim për qëllimet e kësaj fryme. Në punimin dhe përgjigjen e tij të njohur se “Ç’është Iluminzimi” ( Beantwortung der Frage: Was ist Aufklärung?) ai mbronte tezën se synimi primar i këtij projekti ishte emancipimi i njerëzve nga çdo llojë tutele e jashtme me qëllim që ta “përdorin” mendjen si drejtuese të jetës së tyre. Dhe në këtë mënyrë të dalin nga gjendja e foshnjërisë dhe papjekurisë mendore. Sapere aude! Ki guxim ta përdoresh mendjen, është parimi kryesor i Ilumnizimit, sipas Kantit.
Kështu, në ditën e vdekjes së tij, krahas begatisë tjetër teorike, nëse është diçka për të cilën duhet të përkujtohet Kanti, është pikërisht ky testament filozofik. Nuk ka formulë me të fisme për të na mbrojtur nga format e ndryshme të manipulimit ideologjik dhe politik, edhe sot e kësaj ditë. Veçanërisht ndaj dëshirave të fshehta të pushtetarëve, që siç thotë një filozof tjetër, ëndërrojnë t’i shndërrojnë njerëzit në kafshë dhe në fëmijë, me qëllim që t’i drejtojnë ka të dojnë dhe t’u tregojnë përralla për t’i vënë në gjumë.
Prandaj, kjo trashëgimi duhet të jetë “orakull” dhe guidë edhe për të ardhmen. E ky detyrim për të menduar merr vlerë sipërane sidomos ne një kohë, ku parim i saj po bëhet thirrja mos mendo, por përshtatu.
(Autori është ligjërues j Filozofisë)