“Mendova se ky është fundi dhe do të vdes,” studentja afgane tregon përvojën në aeroportin e Kabulit

Prishtinë | 17 Gus 2021 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Ashtu si qindra banorë të tjerë të Kabulit, Aisha Ahmad shkoi me vrap në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzi” të hënën, duke shpresuar të kapte një fluturim jashtë vendit pasi u bë e qartë se qeveria do të binte në duart e talebanëve.

Ahmedi nuk ia doli mbanë. Studentja 22-vjeçare tregoi përvojën e saj për CNN dhe shpjegoi pse ka frikë për të ardhmen.

Ahmad tha se ajo mori një telefonatë nga një mik në Shtetet e Bashkuara dhe iu tha se njerëzit po transportoheshin nga Afganistani në fluturime ushtarake. Ajo nuk e besoi në fillim, por kur një shoqe e dytë telefonoi dhe tha të njëjtën gjë, mendoi se të dy mund të kishin të drejtë.

Rrugët ishin të qeta ndërsa vrapoi drejt aeroportit, me përjashtim të kërcitjeve të herëpashershme të të shtënave me armë. Njerëzit ishin të qetë dhe dukeshin kuriozë.

Por në aeroport, Ahmad tha “kishte mijëra njerëz, përfshirë shumë pa pasaporta dhe pak siguri. “Turmat u shtynë nga policia,” tha ajo. Fëmijët dhe gratë ishin në tokë. ” Ahmad tregon se dukej si “kiamet”. “Mendova në një moment se ky është fundi dhe unë do të vdes,” tha ajo për CNN, përcjell abcnews.al.

Megjithëse nuk arriti të dilte nga Kabuli, ajo iku nga aeroporti vetëm me gërvishtje dhe mavijosje.

A do të kthehet shkollë? Zëdhënësi dhe udhëheqësit talebanë kanë thënë se ata planifikojnë të drejtojnë një “qeveri përfshirëse islame” dhe të lejojnë gratë dhe vajzat të shkojnë në shkollë. Shumë afganë janë skeptikë ndaj këtyre pretendimeve sepse është një largim i madh nga tendencat fundamentaliste, totalitare që shënuan kohën e grupit në pushtet në vitet 1990.

“Disa njerëz thonë se talebanët kanë ndryshuar, të tjerë thonë se nuk kanë ndryshuar,” tha Ahmad. “Për të qenë e sinqertë tani nuk i besoj talebanët,” shtoi ajo.

Udhëheqësit talebanë kanë thënë se njerëzit duhet të vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre të përditshme tani për tani, përfshirë gratë që shkojnë në shkollë. Ahmad tha se bazuar në atë që sheh në TV, ajo mendon se mund të kthehet në shkollë, por nuk është saktësisht e sigurt.

Ajo ka frikë se nuk do të jetë në gjendje të përfundojë arsimin e saj universitar dhe shqetësohet se gjërat do të fillojnë të bëhen më të vështira për gratë në ditët dhe javët në vazhdim

“Patjetër që do të ketë kufizime për gratë, por ne nuk e dimë sa,” tha Ahmad.

“Njerëzit nuk janë shumë jashtë, dhe ata nuk e dinë se si do të jetë aktiviteti i tyre i përditshëm kur jeta të kthehet në normalitet. A do t’i detyrojnë dyqanet të mbyllen gjatë kohës së namazit? A do të ketë ndëshkim për të mos shkuar në xhami, a do t’i detyrojnë njerëzit për të shkuar? … Askush nuk e di, “tha ajo.

Të ngjashme