Qenka kthyer kryeministri, pas një shëtitje në brigjet helene. Sigurisht i mërzitur për këtë kthim. I pushtuar nga zgavrimet shpirtërore për shkak të limontisë së tij.
Shumëkush mund ta kontestoj këtë konstatim timin, se si mund të mërzitet njeriu kur kthehet në shtëpi. Sepse askund nuk ka si shtëpia. A nuk e konfirmon këtë fakt ajo sentenca e njohur angleze “home sweet home”.
Madje, a nuk është ai në atë pozitë që e ka ëndërruar gjithmonë. Të gjitha pushtetet në një dorë. Pa oponentë real politikë. Dhe gati si një sundimtar absolut.
Por, mbase është kjo gjendje pa shtegdalje që më së shumti e kafshon shpirtërisht kryeministrin. Është e vërtetë se ai ka synuar këtë fuqi. E ka gjakuar pa pushim. Ka zhvilluar beteja pa ndërprerë i nxitur nga ky vullnet.
Por ja që pasi i ka fituar të gjitha, përsëri nuk është i kënaqur shpirtërisht.
S’po mund të gjejë rehati. Të qetësohet në pallatet qeveritare. Prandaj po e kërkon kuptimin e ekzistencës së tij politike në horizonte tjera.
Mirëpo, Albin Kurti ka kërkuar edhe diçka tjetër, e që kjo është më shumë fatkeqësi për Kosovën se sa për atë personalisht, që nuk po mund ta gjejë në politikën institucionale të vendit. Ai ka kërkuar një pranim tjetër. Atë model të pranimit që vjen nga “dyluftimi”. E jo nga subordinimi. Ai sot në shumëçka i ngjason figurës së “pronarit” në “Fenomenologjinë e Frymës” së Hegelit. I cili pasi ka arritur ta nënshtroi kundërshtarin tij, e ka bërë “rob” të tekave të tij, përsëri kjo asimetri nuk e kënaq atë. Sepse tash pranohet nga dikush që nuk ka dashur të pranohet në këtë mënyrë. Nuk është i barabartë më të.
Kështu edhe kryeministri, përjashto këtu vetëm kryetarin e Aleancës, por që nuk po arrin të gjejë shtrirje masive nacionale, pranohet nga një opozitë që nuk e sfidon “ontologjikisht”. Diçka që e urren kryeministri, sepse për të politika ka karakter agonistik, e jo maskim të nënshtrimit nën emrin e konsensualizimit.
Me të kthyer ai e dinë se çfarë opozite do ta gjejë. Një lider si kryetari i LDK mentoren politike dhe ideologjike të të cilit tashmë e ka bërë presidente. Apo një lider si kryetari i PDK, ku sipas Baton Haxhiut, njërit prej njohëseve më të mirë të zhvillimeve politike në atë parti, edhe pse para një viti e proklamonte si liderin ideal të opozitës, sot “duhet të marrë leje nga Faton Peci, se çka duhet të flas në publik”. Mjerisht ai nuk gjen kontestime as nga brenda partisë së tij.
E kjo gjendje e tmerron kryeministrin. E mërzit. Dhe e torturon. Ngase vetëm tash ka mundësi ta kuptojë se sa i vetmuar ka mbetur në teatrin e konfrontimit politik. Ku kundërshtarë i ka ata që janë të detyruar të jetojnë nën iluzionin e të bërit opozitë.
Albin Kurti po ashtu e dinë se pushteti i tij nuk rrezikohet as nga ata zëra të përhumbur dhe të dëshpëruar përtej brigjeve të atlantikut, që falë kapitalit që e posedojnë, kanë mundësi kohë pas kohe ta plotësojnë egon e tyre duke dalë në debate televizive për ta mbytur irrelevancën e tyre. Ky tjetërsim i sferës publike e kafshon edhe më shumë kryeministrin. Ngase, ai e dinë që kjo hapësirë duhet të ketë karakter epistemik që ia çmonton dogmat e tij ideologjike, dhe jo të shndërrohet në medium ku gjejnë hapësirë sharlatan të tillë. Sepse kjo “specie” nuk i ndihmon as opozitës, as Kosovës dhe askujt.
I ndodhur në këtë gjendje dëshpëruese, kryeministrit Kurti nuk i ka mbetur gjë tjetër, pos kohë pas kohe të shpresojë ta tejkalojë atë me englendisje e duke kërkuar zbavitje në kulturën e konsumit dhe duke e shijuar jetën e hedoniste. Ta kërkojë peshën e tij në forume ndërkombëtare. Apo të konfrontohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, sepse vetëm te ai mund ta “takojë” atë që po i nevojitet më së shumti, por nuk po mund ta gjejë brenda vendit. Ndërkohë, ky i fundit, ka filluar të adhurohet nga një pjesë e opozitës kosovare. Por jo për shkak të vlerave që i posedon, por si satifaskion për mungesën e autoritetit të tyre politik për t’u ballafaquar me kryeministrin Kurti.
Mirëpo, kjo qasje e opozitës për ta kërkuar një patriark të jashtëm politik si kompensim për dobësinë e saj të brendshme e përkeqëson vetëm gjendjen e saj. Sepse, e mban atë në një rreth vicioz të infantilizmit politik. Shkallmimin e një varësie të tillë, këtu e tre shekuj më parë, filozofi i njohur gjerman Imanuel Kanti, e kishte shtruar si imperativ të Iluminizmit.
Duke marrë parasysh këto shkarje, po shihet qartë se as kryeministri s’e ka ndërmend të ndryshoj pa ndryshuar opozita. Mbase ka ardhur koha që të fillohet nga kjo e fundit. T’ia ofrojmë të parit të qeverisë një opozitë tjetër. Që ia kthen “buzëqeshjen e humbur”, dhe e mban të fokusuar dhe përgjegjës për qeverisjen e brendshme.