Mësimi digjital – Kurti thotë se janë ndarë 18 milionë euro për blerjen e pajisjeve në shkolla

Prishtinë | 14 Pri 2023 | 11:52 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it dhe të BE-së, kanë organizuar tryezën me temën “Nga politika në praktikë: Transformimi i arsimit përmes Mësimit Digjital”, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti tha se për herë të parë digjitalizimi në arsim konsiderohet si një nga pesë shtyllat e strategjisë së Arsimit 2022-2026 ku sipas tij, kësaj shtylle i janë dedikuar 52 milionë euro.

Madje tha se janë ndarë 18 milionë euro për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla.

“Për herë të parë digjitalizimi në arsim konsiderohet si një nga pesë shtyllat e kësaj strategjie. Kësaj shtylle i janë dedikuar 52 milionë euro, që është 16 për qind e buxhetit të përgjithshëm të strategjisë. Platforma digjitale që do t’i integrojë do të rezultojë në cilësinë e shërbimeve arsimore. Aspekti i dytë është materialet shkollore. Materialet mësimore digjitale ofrojnë mundësi të pa kufizuar”.

“Strategjia synon që këtë mundësi ta gëzojnë të gjitha kategoritë në vend. Do të jenë edhe në gjuhën e komuniteteve si dhe për fëmijët me nevoja të veçanta. Ne kemi dedikuar një buxhet prej 18 milionë eurosh për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla”.

Ministrja Arbërie Nagavci, tha se me këtë hap kjo ministri është duke e përmbushur pikën e pestë të planit të tyre, që është digjitalizimi i arsimit në vend.

Sipas saj, që të ketë digjitalizim në arsim duhet që të investohet edhe në infrastrukturë.

“Bëhet fjalë për një hap madhor që varet e ardhmja e shoqërisë dhe të ardhmes tonë. Një proces i tillë nuk mund të nis pa u analizuar në fakte, pikërisht kjo është ajo që po e bëjmë. Konkretisht në po punojmë në përmbushjen e planit tonë, që është digjitalizimi arsimorë në përputhje me trendët botërore. Do të realizohet në partneritet me të gjitha palët”.

“Që të ketë digjitalizim në arsim, Kosova duhet që të investojë edhe në infrastrukturë. Kjo gjithsesi do të sjell edhe përfitime të tjera ekonomike për vendin tonë, duke tërhequr investime dhe duke rritur nivelin ekonomik në vend. Në hartim kanë marr më shumë se 150 akterët dhe pres që rekomandimet e tryezës të shërbejnë për të ardhmen”, tha ajo.

Arnhild Spence, koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, tha se arsimi digjital ofron mundësi më të mira për fëmijët.

Sipas saj, 60 për qind e grave në Kosovë nuk marrin pjesë në hapësirën digjitale, raporton EO.

“Do të doja ta falënderoj Qeverinë e Kosovës për strategjinë e arsimit. Unë e shohë arsimin në një perspektiv më të gjerë, ofrimi i arsimit cilësorë është një prej pikave të katërta. Parlamenti i Kosovës ka miratuar ato objektiva dhe është duke punuar me Qeverinë që të bëjë këtë. Duhet të sigurohem se sektori i arsimit dhe nevojat e komunitete të mos lihen anash”.

“Kjo është një mundësi që të rritemi, përmes kësaj fëmijët do të kenë mundësi më të mira për arsim. Të dhënat bazë thonë se mund të bëhet edhe më mirë në Kosovë. Arsimi digjital në Kosova ka disa faze dhe disa sfida. Qasja në internet në Kosovë është 90 për qind, por pjesa më e madhe përdoret për rrjete sociale. 60 për qind e grave dhe femrave në Kosovë nuk marrin pjesë në hapësirën digjitale”, tha ajo

Nona Zicherman, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se janë të angazhuar që secili familje pa marr parasysh përkatësive fetare, etnike të kenë qasje në arsimi cilësor.

“Si UNICEF jemi të angazhuar që secili fëmijë të ketë qasje në arsim cilësore. Sot është e qartë që veglat digjitale po e formatojnë arsimin. Me një zbatim të drejt të nxënit digjitalë është një vegël e rëndësishme. Kjo është një nevoje që duhet të ketë sukses”.

“Si shumë vende gjatë pandemisë shumë shkolla janë mbyllur. Po ashtu edhe mësuesit kanë pasur problem. Në Kosovë kemi punuar për disa vite me MAShTI për t’i mbyllur këto boshllëqe. Do të angazhohemi që të arrihen objektivat”, tha ajo.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,

Të nderuar ministra e zëvendësministra,

E nderuara Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, znj. Arnhild Spence,

E nderuara shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman,

I nderuari Zëvendës Shef i Seksionit për Bashkëpunim të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Alessandro Biancardi,

Të nderuar përfaqësues të tjerë nga qeveria, institucionet e Republikës sonë, nga akademia, shoqëria civile dhe sektori privat

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj

Çdo fushë e qeverisë dhe çdo sektor i ekonomisë është i rëndësishëm dhe po kështu është digjitalizimi në secilën prej atyre fushave dhe sektorëve. Por, nëse do të veçonim një sektor, që ka rol fundamental në zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë dhe që mundëson progresin në të gjithë sektorët e tjerë, padyshim që është arsimi.

Në fund të vitit të kaluar ne miratuam Strategjinë e re të Arsimit 2022-2026. Për herë të parë digjitalizimi në arsim konsiderohet si një nga pesë shtyllat e kësaj strategjie ambicioze. Kësaj shtylle i janë dedikuar 52 milionë euro, që është 16% e buxhetit të përgjithshëm të strategjisë. Kjo siguron një qasje gjithëpërfshirëse ndaj digjitalizimit në arsim dhe adresimin e të gjitha aspekteve të këtij transformimi.

Aspekti i parë i rëndësishëm në shtyllën e digjitalizimit në arsim janë sistemet, proceset dhe të dhënat në fushën e arsimit. Të dhënat analitike dhe sistemet e ndërlidhura do të sigurojnë transparencë e llogaridhënie dhe politikëbërje të bazuar në fakte në fushën e arsimit. Ndërsa, proceset e automatizuara do të mundësojnë efikasitet dhe produktivitet më të lartë në funksionimin e sistemit arsimor. Platforma digjitale gjithëpërfshirëse dhe e centralizuar që do t’i integrojë këto së bashku, do të rezultojë në përmirësimin e gjithmbarshëm të cilësisë së shërbimeve arsimore.

Aspekti i dytë i trajtuar në strategji, janë materialet mësimore digjitale. Kur shkollat u deshtë të mbyllen për shkak të pandemisë COVID-19, video materialet mësimore ishin një vegël shumë e rëndësishme për të mbështetur mësimin në distancë. Por në rrethana të vijimit normal të mësimit në shkolla, nevojiten materiale mësimore digjitale multi-modale e shumë më të pasura, duke përfshirë përmbajtje audio-vizuale, animacione, elemente interaktive, laboratorë virtualë dhe lojëra edukative.

Materialet mësimore digjitale ofrojnë mundësi të pakufishme për nxënësit e epokës digjitale, që të përmirësojnë cilësinë dhe efikasitetin e të nxënit, si në shkollë ashtu edhe në shtëpi dhe strategjia synon që këtë mundësi të mund ta gëzojnë të gjitha kategoritë shoqërore në vend. Prandaj, plani i veprimit përfshinë përgatitjen e materialeve mësimore digjitale edhe në gjuhët e komuniteteve, si dhe për fëmijët me nevoja të veçanta.

Për të përmirësuar qasjen në mësimin digjital, shkollat kanë nevojë për lidhje në internet, si dhe për pajisje elektronike si për mësuesitashtu edhe për nxënësit. Edhe këtu gjithëpërfshirja mbetet një parim kyç. Përmes projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE), qeveria me mbështetjen e fondeve të Bankës Botërore ka arritur që 100%, pra të gjitha vendbanimet në Kosovë, përfshirë ato në zonat e thella rurale, të kenë qasje në internet brezgjerë. Në kuadër të këtij projekti, është bërë edhe lidhja e 107 shkollave në internet brezgjerë. Megjithëkëtë, 16% e shkollave mbeten ende të palidhura dhe nga ato që janë tashmë janë të lidhura, vetëm 49% kanë lidhje përmes fibrit optik. E përveç kyçjes në internet, duhet të sigurohemi që shkollat të kenë rrjetet e tyre LAN ose Ëifi, për të shpërndarë qasjen në internet në të gjitha klasat dhe hapësirat shkollore.

Dhe, natyrisht, shkollat kanë nevojë për pajisje elektronike: kompjuterë, tabela inteligjente dhe printera. Shifrat e vitit 2021 tregojnë se shkollat publike të Kosovës kanë mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës, që është shumë prapa mesatares së Bashkimit Evropian. Andaj, duke e konsideruar se kjo është një nga fushat prioritare ku duhet të ndërhyjmë, ne kemi dedikuar një buxhet qeveritar prej 18 milionë eurosh për një periudhë 3-vjeçare që në masë të madhe do të shërbejë për të financuar blerjen e pajisjeve digjitale për shkolla. Këtë vit tashmë kemi pranuar kërkesat për furnizim me pajisje digjitale nga 432 shkolla, të cilat aktualisht janë duke u shqyrtuar.

Digjitalizimi ka potencialin të revolucionarizojë mënyrën në të cilën jepet mësimi. Me përdorimin e teknologjisë, mësimdhënësit mund të krijojnë dhe të ofrojnë njësi mësimore, të japin dhe të bëjnë vlerësimin e detyrave dhe të komunikojnë me nxënësit në mënyrë më efikase. Kjo mund të lirojë më shumë kohë për ata që të përqendrohen në aspektet më kritike të mësimdhënies, siç janë ofrimi i mbështetjes dhe inputeve individuale për nxënësit. Megjithatë, për të qenë në gjendje të përdorin teknologjinë në procesin e mësimdhënies, mësimdhënësit dhe stafi tjetër arsimor kanë nevojë për kompetencë dhe aftësi të reja.

Kjo kërkon ndërtimin e kornizave tona kombëtare bazuar në Kornizat Evropiane të Kompetencës Digjitale në mënyrë që të sigurohemi, që mësimdhënësit dhe palët tjera të kenë qasje të vazhdueshme në programe trajnimi për të arritur dhe ruajtur shkathtësitë e tyre digjitale.

Dhe aspekti i fundit, por jo për nga rëndësia i transformimit digjital në arsim, janë mekanizmat institucionalë, që do ta mundësojnë këtë transformim. Duke filluar nga niveli i ministrisë, e deri te niveli i komunës dhe shkollës, nevojiten njësi dhe struktura organizative për të zbatuar, menaxhuar dhe mirëmbajtur teknologjitë digjitale.

Në rrugën tonë drejt transformimit digjital, është i nevojshëm një vlerësim i vazhdueshëm i nevojave dhe i kërkesave të palëve të interesit për t’u siguruar që veprimet e realizuara dhe ato të planifikuara të mbeten relevante dhe efektive. Vlerësimi i nevojave të të mësuarit digjital, i kryer nga Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës dhe i mbështetur nga UNICEF-i, ofron njohuri domethënëse për zbatimin e strategjisë tonë të arsimit.

Jemi të lumtur të shohim se të gjeturat e hulumtimit validojnë shumë nga aktivitetet e parapara në planin e veprimit të strategjisë, por gjithashtu ofrojnë edhe rekomandime, të cilat mund të përmirësojnë më tej efektivitetin e veprimeve të planifikuara.

Dëshiroj të falënderoj Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për organizimin e kësaj tryeze, si dhe UNICEF-in e Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, për përgatitjen e rastit studimor dhe raportit të vlerësimit të nevojave për mësim digjital.

Po ashtu, shpreh vlerësimin tim të veçantë për UNICEF-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur për forcimin e sistemit tonë arsimor ndër vite.

Në fund, më lejoni të përfitoj nga ky rast për t’i ftuar dhe njëherë të gjithë partnerët tanë zhvillimorë për bashkëpunim dhe mbështetje në zbatimin e digjitalizimit të arsimit në vendin tonë.

Ju falemnderit.

Të ngjashme