Meta i përgjigjet Ramës për letrën në Bruksel

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i përgjigjet kryeministrit Edi Rama lidhur me letrën që i ka dërguar një ditë më parë Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Ju bëj edhe njëherë të qartë letrën, për të ndihmuar KE për të qenë më i vëmendshëm me një çështje kaq kritike, siç është integriteti i Gjykatës Kushtetuese. Në formulimin e bërë krijohej përshtypja sikur problemi ishte bërë nga interpretimi i Presidentit.

I dashur z.komisioner, zyra juaj lëshoi dje një paketë të zgjeruar, e mirëpres përkushtimin dhe përpjekjet në mbështetje të integrimit të vendit tim.

Mbetem shpresëplotë që vendet anëtare të mbështesim rekomandimin tuaj pozitiv për çeljen e negociatave”, tha Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit vijon me leximin e letrës, në të cilën njofton Komisionerin për Zgjerim se mazhoranca ka miratuar një ligj antikushtetues në Kuvend për të komplikuar edhe më shumë gjërat.

“Përgjatë kësaj kohe, unë kam qenë transparent dhe kam njoftuar BE mbi çdo hap të këtij procesi. Kam qenë bashkëpunues me Komisioni e Venecias. Për t’i komplikuar gjërat edhe më shumë, duhet të dini se kjo mazhorancë, ka miratuar një akt antikushtetues në kuvend. Ky ligj u miratua ditën që Komisioni i Venecias mbërriti në Tiranë, duke mos pritur opinionin e këtij të fundit.

Mazhoranca ka spekuluar publikisht se ka pasur mbështetje nga BE për këtë ligj. Unë kam kërkuar qëndrim zyrtar për këtë çështje. E vetmja zyrë që nuk ka kthyer përgjigje është Euralius. Besoj se KE duhet të ketë si qëllim interesat më të mira të popullit shqiptar. Çdo mbështetje për një gërryerje të mëtejshme të sundimit të ligjit sa do përshkallëzonte krizën aktuale dhe do nxiste shpopullimin e vendit. unë do qëndroj stoik, veçanërisht në këtë situatë dramatike. Pres të takohemi me ju z.komisioner”, shkruan Meta në letër.

LETRA E METES

I NDERUAR KOMISIONER VARHELYI!

Zyra juaj ka publikuar dje një përditësim mbi gjetjet kryesore të paketës së zgjerimit 2019 mbi Shqipërinë. Unë e mirëpres angazhimin dhe përpjekjet tuaja, duke mbështetur procesin e integrimit të vendit tim në BE, në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit. Unë mbetem me shpresë se vendet anëtare do ta mbështesin rekomandimin tuaj për të hapur negociatat gjatë këtij muaji, gjithashtu duke marrë parasysh një metodologji më të përpiktë, që siguron një proces më të qëndrueshëm dhe të qartë të reformave.

Kam mbetur me përshtypjet më të mira nga takimi ynë në Tiranë dhe për më tepër, jam inkurajuar nga realizmi dhe entuziazmi juaj për t’i kthyer dështimet e mëparshme në mundësi. Rivendosja e besueshmërisë në procesin e zgjerimit nuk është vetëm nevojë e vendeve anëtare, por edhe e domosdoshme për procesin e vërtetë të vendeve kandidate, përfshirë Shqipërinë.

Në këtë këndvështrim, unë nuk mund ta fsheh keqardhjen duke lexuar “fotografinë e fakteve” të lidhura me procesin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese të vendit dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës sui generis në Shqipëri. Presidenti i Republikës ka respektuar plotësisht dhe ka zbatuar masat ekzakte ligjore dhe kushtetuese, të cilat përcaktojnë: Neni 179 i Kushtetutës:

“…2. Anëtari i parë që do të zëvendësohet në Gjykatën Kushtetuese duhet të caktohet nga Presidenti i Republikës, i dyti duhet të caktohet nga Parlamenti dhe i treti nga Gjykata Supreme.

Ky duhet të jetë rendi për të gjitha emërimet e ardhshme, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ligji nr 8577/2000, “Mbi Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, siç u përmirësua: “4. Rivendosja e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022, duhet të ndodhë sipas skemës së mëposhtme: a) Gjykatësit që do të zëvendësojnë gjykatësit që iu mbaron mandati më 2016, duhet të caktohen sipas sekuencës, respektivisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Parlamenti. b) Gjykatësit që iu mbaron mandati në 2017, duhet të caktohen nga Gjykata e Lartë dhe duhet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025. c) Gjykatësit që do të zëvendësojnë gjykatësit, të cilëve iu mbaron mandati në 2019, duhet të caktohen sipas sekuencës, respektivisht nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe nga Parlamenti. ç) Gjykatësi, i cili do të zëvendësojë gjykatësin, që i mbaron mandati në vitin 2020, duhet të caktohet nga Gjykata e Lartë dhe duhet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. d) Gjykatësit që do të zëvendësojnë gjykatësit, të cilëve iu mbaron mandati në 2022, duket të caktohen sipas sekuencës, respektivisht nga Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë.

Kjo është saktësisht ajo çfarë i ka qëndruar Presidenti. Kjo është saktësisht ajo që rekomandoi Komisioni i Venecias për Reformën në Gjykatën Kushtetuese, e aprovuar në unanimitet nga Parlamenti shqiptar në vitin 2016. Por oreksi politik i shumicës socialiste kërkon të thyejë një balancë të tillë, me qëllim që të marrë kontrollin politik të Gjykatës. Për më tepër, unë kam publikuar të gjitha dokumentet zyrtare që provojnë çdo shkelje kushtetuese dhe ligjore të kryera nga kreu i Këshillit të Emërimeve në Gjyqësor, ministri i Drejtësisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe Qendra e Publikimeve Zyrtare dhe kam kërkuar akuzime kriminale kundër çdokujt të përfshirë në këtë skemë në Zyrën e Prokurorit Special, SPAK.

Përgjatë kësaj kohe, unë kam qenë plotësisht transparent dhe kam informuar Zyrën e Delegacionit të BE-së dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, mbi çdo hap në këtë proces. Kam qenë plotësisht bashkëpunues me Komisionin e Venecias, i cili ka të drejtën të ekzaminojë të gjithë procedurën e emërimeve të gjykatësve kushtetues dhe jo vetëm një gjykatës, siç është përmendur në raportin tuaj.

Për të komplikuar më shumë gjëra, ju duhet të dini se kjo shumicë ka miratuar një ligj antikushtetues në Parlament, duke ndryshuar procedurën e betimit në detyrë të gjykatësve kushtetues te Presidenti i Republikës, përcaktuar në nenin 129 të Kushtetutës. Më lejoni të nënvizoj se ky ligj u miratua në të njëjtën ditë që Komisioni i Venecias mbërriti në Tiranë, pavarësisht nga opinioni i tyre i mbetur pezull edhe mbi këtë çështje.(BalkanWeb)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme