Meta letër tjetër për KQZ-në: Dua praktikën shkresore të zëvendësimit të deputetëve

Prishtinë | 21 Qer 2019 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është drejtuar me një letër të dytë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i ka kërkuar praktikën shkresore të zëvendësimit të deputetëve të opozitës në Kuvend.

Meta kërkon konkretisht nga KQZ:

Praktikën shkresore të administruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për njoftimin e krijimit të vakancës në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit për çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë, ku përfshihet kopja e njoftimit të Kuvendit dhe kopja e dorëheqjes së deputetit nga mandati;

Kopje të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën shumëemërore për çdo vakancë të parakohshme të krijuar dhe të zëvendësuar deri më tani në Kuvendin e Shqipërisë.

Një javë më parë, Presidenca iu drejtua KQZ-së me një letër ku kërkonte të dinte se cili është numri aktual i mandateve të deputetëve në Kuvend në shkallë vendi si dhe vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktual.

Përgjigja që Meta mori është se në Parlament ka aktualisht 122 deputetë nga 140 që nevojiten.

Këto veprime të presidentit janë konsideruar si përpjekje për një shpërndarje të mundshme të Parlamentit./ Top Channel

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme