Ministria e Financave dhe Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për hartimin e Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë nga ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri.
Përmes kësaj marrëveshje vendosen parimet, përgjegjësitë dhe mënyra e bashkëpunimit, raporton Ekonomia Online.
Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal është njëri ndër ligjet më vitale i cili ofron efikasitet dhe qëndrueshmëri për komunat. Përmes këtij bashkëpunimi në procesin e hartimit të këtij Ligji do të jetë një sukses i përbashkët në përkrahjen e komunave dhe fuqizimin e qeverisjes lokale.
Drejtori i KLGI-së, Besnik Tahiri tha se sot po e bëjnë edhe në mënyrë zyrtare nënshkrimin e një marrëveshje që të shtyjnë përpara asistimin e projektligjit.
Ai tha se Ligji për Financa Lokale është bazamenti i nivelit komunal.
“ Ligji për financa lokale është bazamenti i një shteti, është themeli i një qëndrueshmërie të nivelit komunal. Kosova përgjatë 15 viteve ka bërë disa ndryshime të ligjeve mirëpo dhjetë vjet pas nisjes s procesit të Ahtisarit mendoj që është momenti më i volitshëm që financat lokale të trajtohen dhe të analizohen”, ka thënë ai.
“Nëse dëshirojmë të kemi një shtet të suksesshëm atëherë duhet të krijojmë rezultate konkrete në komuna dhe për të krijuar këto rezultate duhet të kemi financim të qëndrueshëm të kompetencave që vijnë në komuna “, ka shtuar ai.
Kurse ministri i Financave Avdullah Hoti tha se reforma e financave publike është kyçe.
“Duke pasur parasysh përvojën shumë të pasur që e ka ky instituti në studime paraprake dhe në veçanti të vet përvojës besoj që do të arrijmë të bëjmë një përvojë legjislative me financat e pushteti lokal për të siguruar që komunat tona janë të qëndrueshme dhe i plotësojnë nevojat bazike dhe ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët. Buxheti i Kosovës është duke u rritur vazhdimisht . Unë kam parë që komunat kanë më tepër potencial për të gjeneruar të hyra”, ka thënë ai.
Menaxheri i Programeve në DEMOS, Norbert Pijls, ka theksuar se projektligji për financat e pushtetit lokal është ligji më i rëndësishëm në nivelin lokal.
“Ndihem i nderuar që në një ekip me Institutin KLGI të mbështesin Ministrinë e Financave në draftimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, si ligji më i rëndësishëm në nivelin lokal. Vendi ka eksperiencë të mjaftueshme, nisur nga institucionet, puna me ekspertët dhe po ashtu mundësia për të sjellë ekspertizë ndërkombëtare që përmes këtij ligji t’i përshtatemi nevojave të komunave dhe qytetarëve në Kosovë. Andaj së bashku mund të arrihen rezultate të mira”, ka thënë ai.
Objektivi i përgjithshëm i këtij bashkëpunimi në mes Ministrisë së Financave dhe Institutit KLGI në draftimin e LFPL, ka të bëjë me një proces të gjerë të konsultimit dhe përkushtimit profesional në mbështetjen teknike përgjatë gjithë procesit.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje gjithashtu do të jetë një vlerë e re e mbështetjes për institucione, si dhe një aspekt qenësor në ofrimin e modeleve të bashkëpunimit dhe koordinimit drejt reformave dhe fuqizimit të themeleve evropiane të qeverisjes lokale.
Gjithashtu përmes kësaj marrëveshje vendosen parimet, përgjegjësitë dhe mënyrat e bashkëpunimit. Marrëveshja përfshin edhe pjesën e bashkërendimit dhe bashkëpunimit me Helvetas – DEMOS.
Mbështetja e Institutit KLGI për Ministrinë e Financave ofrohet në kuadrin e projektit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale” i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ku shtyllë të aktiviteteve ka “Financat Lokale dhe Zhvillimin Ekonomik”.