Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka vendosur një standard të qartë kushtetues lidhur me statusin juridik të ushtruesve të detyrës në institucionet publike.
Sipas Miftarajt, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton se ushtruesi i detyrës nuk e fiton statusin juridik të bartësit të rregullt të funksionit dhe, rrjedhimisht, nuk mund të përfitojë të drejta që ligji ua njeh vetëm zyrtarëve të emëruar ose të zgjedhur në atë pozitë.
“Gjykata Kushtetuese, në rastin e U.D. së Kryeprokurorit të Shtetit, ka vendosur një standard të qartë kushtetues: ushtruesi i detyrës (U.D.) nuk e fiton statusin juridik të bartësit të rregullt të funksionit. Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtrimi i detyrës, edhe nëse zgjat më shumë se gjashtë muaj, nuk krijon automatikisht të drejtën për privilegjet që ligji ua njeh vetëm personave të zgjedhur ose të emëruar në atë funksion”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka theksuar se përfitimet financiare dhe privilegjet pas përfundimit të mandatit nuk janë të përgjithshme, por u takojnë vetëm atyre që plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj.
“Sipas ligjit, e drejta për përfitime financiare pas përfundimit të mandatit, ku hyn edhe kompensimi në vlerë prej 70% të pagës gjatë tërë jetës, shoferi, asistenti apo privilegje të tjera, nuk është e përgjithshme. Ajo u takon vetëm pozitave që ligji i përcakton shprehimisht dhe vetëm kur plotësohen kushtet ligjore. Për rrjedhojë, ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Kuvendit nuk mund t’i kërkojë këto përfitime vetëm për faktin se e ka ushtruar përkohësisht atë funksion si U.D.”, ka shtuar Miftaraj.