Miftaraj: Nëse formalizohen dorëheqjet, serbët mund të rikthehen vetëm me konkurs

Prishtinë | 05 Nën 2022 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Ehat Miftaraj nga Insituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ende nuk dihet nëse dorëheqjet e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës janë të formalizuara. Para se të mirret ndonjë veprim, ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë koordinim me ndërkombëtarët.

Miftaraj për Tëvë1 theksoo se në momentin që këto dorëheqje formalizohen, do të bëhet më e vështirë për serbët e Kosovës për t’u kthyer përsëri.

“Në qoftë se formalizohen do të jetë shumë më e vështirë që të njëjtit të kthehen në institucione, për arsye se në momentin kur formalizohet dorëheqja, e vetmja mënyrë për tu kthyer në institucione është që të bëhen përmes konkursit, e që kjo padyshim do të ishte një qasje jo e mirë në radhë të parë për serbët e Kosovës”, tha ai.

Miftaraj theksoi se Qeveria e Kosovës para se të marrë ndonjë veprim, duhet të ketë koordinim me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.

“Është shumë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës para se të marrë ndonjë veprim, duhet të ketë një koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si SHBA-ja, BE-ja dh NATO. Kosova nuk duhet të bie pre e provokimeve nga ana e Beogradit, të cilët fatkeqësisht janë duke i shfrytëzuar serbët e Kosovës”, shtoi ai.

Të ngjashme