Miftaraj: Nuk mund të bësh homazhe për viktimat e Reçakut, e njëkohësisht ta nderosh Ivanoviqin

Prishtinë | 17 Jan 2023 | 15:33 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë fyese për familjet e 10 kosovarëve të vrarë në prill të vitit 2000, raporton Ekonomia Online.

Miftaraj ka përmendur edhe të kaluarën kriminale të Ivanoviqit, me ç’rast ishte dënuar edhe në shkallë të parë nga Gjykata e EULEX-it, si udhëheqës i grupit kriminal, “rojet e urës”.

Sipas Miftarajt, Kurti ka ndryshuar qasje sa ishte në opozitë dhe se kjo sipas tij nuk i bën nderë kryeministrit por as Qeverisë. Thotë, se familjet e në atë pjesë janë terrorizuar nga këto grupe terroriste.

“Po më së paku mund të themi që ishte një deklarim skandaloz nga ana e kryeministrit Kurti, i cili në emër të Qeverisë së Kosovës i thuri lavde jetës dhe veprës së Ivanoviqit. Po flasim për një politikan serb, kontrovers i cili nga Gjykata e EULEX-it ishte dënuar me nëntë vite burg për dyshimet ku ishin vrarë dhjetë civil shqiptarë gjatë vitit 2000”, thotë Miftaraj.

“Me vetë faktin se i njëjti në vitin 2000 por edhe gjatë luftës ka mbajtur pozita të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ka qenë udhëheqës i ‘rojave të urës’ në Mitrovicë, dhe së bashku me Delibashiqin sipas dëshmitarëve, kanë terrorizuar banorët në atë pjesë, ka marrë pjesë në spastrimin etnik të shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovisë. Kështu që një adresim i tillë, duke e përmendur veprat dhe jetën e Oliver Ivanoviqit, unë besoj se nuk i bën nderë kryeministrit e as Qeverisë, dhe i ofendon familjet e 10 viktimave të cilët ishin vrarë në prillin e vitit 2000”, thotë tutje ai.

Sipas Miftaraj, kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për formimin e Asociacionit, ka bërë që kryeministri Albin Kurti ka bërë një deklaratë të tillë për t’i ikur vëmendjes së dialogut e Asociacionit.

“Politika në Kosovë nuk ka filluar me Kurtin, ku kryeministrat e presidentët në vazhdimësi kanë prodhuar skandale të tilla për t’i ikur vëmendjes e problemeve reale që i kanë qytetarët. Me vetë faktin se javën e kaluar e kishim këshilltarin e lartë amerikan e i cili erdh me kërkesa të qarta dhe me kërkesa të vazhdueshme të ShBA-së që Asociacioni të formohet. Pra kur kërkesat e tilla janë të qarta, kur javën e ardhshme Escobar dhe Lajçak do të vijë Kosovë e Serbi që do të flasin për këtë temë, politikanët tanë mund t’i shfrytëzojnë këto për të ndërtuar situata të tilla që i ikin vëmendjes së publikut për problemet reale që po ballafaqohemi”, u shpreh Miftaraj.

Teksa ka folur për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, Miftaraj thotë se viktimat e Reçakut e Ivanoviqi nuk mund të nderohen njëkohësisht.

“Kryeministri ka një mori të këshilltarëve dhe këta këshilltar duhet që për çështjet e ndjeshme siç ishte Reçaku apo vdekjet e ish-komandantëve të UÇK-së, të cilët kanë sakrifikuar gjithçka që politikanët ta gëzojnë pozitën e tyre. Kështu që në data të ndjeshme edhe reagimet e prononcimet duhet të jenë më kuptimplota, por edhe të kujdesën që të mos e cenojnë dinjitetin e qytetarëve, e në këtë rast të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Nuk mund që sot të jesh në Reçak e t’u bësh lavdi e nder për viktimat e Reçakut, e ditën e nesërme t’i bësh ‘homazhe’ një figure kontroverse siç ishte Oliver Ivanoviqit”, thotë Miftaraj.

Të ngjashme