Migrimi, mungesa e stafit e konkurrenca – Shkaktarë të mbylljes së kafeterive

Prishtinë | 16 Mar 2024 | 15:53 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dhjetëra kafeteri, në mesin e bizneseve të tjera, janë mbyllur në Prishtinë ditëve të fundit. E shkak për këtë po konsiderohet migrimi dhe mungesa e punëtorëve, thonë për Ekonomia Online, gastronomë të njohur nga Prishtina.

E fundit të cilës iu vu dryni është kafeteria e njohur “Bon Vivant”. Sikur shihet në pamjet e Ekonomia Online, edhe kafeteritë e tjera në kuartet e njohura si “Te Kino ABC” dhe “Te Kafet e Vogla” janë të zbrazëta, një gjë e pazakonshme në një ditë të shtunë, kur këto vende gumëzhinin nga të rinjtë.

Pronari i kafeterisë “Che Bar”, Labinot Ademi, thotë për Ekonomia Online se migrimi e mungesa e punëtorëve, janë disa nga shkaktarët kryesorë që po mbyllen bizneset.

“Po po mbyllen shkaku tash pak që po dalin jashtë (në Evropë), ka klientë më pak. Besoj që puna e stafit, po kanë telashe të ndryshme që po i detyrojnë me u mbyll lokalet. Më shumë besoj se ka më pak klientë në këtë kohë edhe ndodh ky fenomen se nuk besoj që mundet me pas ndonjë arsye tjetër”.

“Konkurrenca është shumë e ashpër dhe shkak i saj mundet me pas telashe gjithsecili biznes. Telashe ngritja e çmimeve nonstop që çmimet ka prej tyre që janë aty për aty sa vjet të ndryshme çmimet e furnizimit janë ngritur, nonstop puna e stafit, rrogat kanë ndryshuar tash e një kohë edhe secili biznes i ka këto telashe që mundet me u përball çdo ditë me to që i detyron edhe me i mbyll”, u shpreh Ademi.

“Po ka rrezik me u mbyll bizneset tjera tash janë më të vogla janë në rrezik të shuarjes sepse klientë ka më pak në këtë kohë, janë duke dalë jashtë dhe mundet me ndodh që me u detyrua dikush me i mbyll lokalet”, thotë Ademi.

E menaxheri i “Bosphoros Restaurant”, Erolind Mirena, thotë se staf e klientë kanë mjaftueshëm, por që konkurrenca është shkaktar i mbylljes. Pret që gjatë verës të hapet më shumë puna.

“Mbyllja e kafitereve nuk e dimë arsyen se pse po mbyllen, por ndoshta është konkurrenca e madhe dhe që nuk munden të mbijetojnë të gjitha bizneset në treg. Tashmë jemi duke shkuar te sezona e verës dhe besoj çeleet ouna”.

“Sezona e dimrit ka qenë gjithmonë, janë mbyllur kafiterite dhe janë hapur bare ose restorante dhe biznese të tjera. Mendoj se nuk ka shumë vështirësi, staf ka mjaftueshëm klientë ka mjaftueshëm vetëm se varet çfarë brende dhe çfarë produkti e servon në restorant dhe bar”, u shpreh Mirena.

“Bon Vivant”, një nga kafeteritë më të njohura në Prishtinë ka shuar aktivitetin e saj, njoftoi sot Uran Ismaili, një prej pronarëve të kafiterisë.

“ByeVivant” (Mirupafshim Bonvivant)”, ka shkruar Ismaili në profilin e tij në Instagram.

Lidhur me këtë ka reaguar, Arian Henci, pronar i kafeterisë “Bamboo” në Prishtinë.

Henci ka shkruar se shuarja e “Bonvivant” dhe disa kafiterive e klubeve të tjera, janë një humbje e madhe për gastronominë dhe jetën e natës në kryeqytet.

“Shuarja e Bon Vivantit mbramë, e Anexit para do dite si dhe Depos, Puntos, Papillonit, Kaqes, Kafes te Vogël, Megahercit, Hamamit, Gjonit, Balles, Hanit te 2 Robertave dhe plot vendeve tjera janë humbje e madhe për gastronominë dhe jetën e natës në Prishtinë”.

“E di që djemtë që i kanë ba këto vende janë mirë… Por Prishtina nuk është mirë e nuk është njësoj pa ta. Çka është ma e keqja, nuk po doket qe ka mu ba ma mirë… Respekt, dashni e nostalgji se qetësia e këtyne ditëve po ma kujton pandeminë”, ka shkruar Henci.

Të ngjashme