Mikrogjumi është pikërisht ajo që e thotë edhe emri: një gjumë i vogël, ose, për ta thënë më saktë, një episod disa-sekondësh i pavetëdijes. Ja gjëja e çmendur për të: Ju nuk e vëreni gjithmonë kur ai ndodh.
Zakonisht, ose jeni të zgjuar ose në gjumë – e nënvizojmë fjalën zakonisht. E vërteta është se gjumi është më shumë një spektër sesa një gjendje absolute. Një pjesë e trurit mund të qëndrojë zgjuar derisa ju flini nëse, për shembull, jeni duke fjetur në një mjedis të panjohur, transmeton Koha.net. Po ashtu, një pjesë e trurit mund të bie në gjumë derisa jeni të zgjuar nëse do të qëndroni pa fjetur tërë natën.
“Kur jemi të përgjumur, ne bëjmë gabime, vëmendja jonë bredhë dhe vigjilenca bie”, shpjegon dr. Chiara Cirelli nga universiteti i Wisconsinit – dhe kjo është për shkak se truri ynë tashmë është pjesërisht në gjumë.
Kur njerëzit kalojnë përtej gjendjes së përgjumur, ata mund ta humbasin vetëdijen për disa sekonda në një fenomen të njohur si “mikrogjumi”. Kjo ndodh më së shpeshti në një tru të privuar nga gjumi gjatë detyrave monotone, si ngasja e automobilit, dëgjimi i një leksioni ose shikimi i një filmi. Ndonjëherë kur kjo ndodh ju e dini sepse lëvizja e mjekrës suaj që bie në gjoksin tuaj ju zgjon. (Kjo mund të jetë shumë e mirëpritur nëse vërtetë duhet të qëndroni zgjuar – me siguri do ta pompojë adrenalinën tuaj dhe ta parandalojë ndonjë periudhë tjetër të mikrogjumit.) Megjithatë, shpesh nuk e keni as idenë më të vogël se keni bërë mikrogjum.
“Gjumi duhet të zgjasë më shumë se një apo dy minuta që truri juaj ta kujtojë atë”, thotë prof. Jim Horne, drejtor i Qendrës Kërkimore të Gjumit në Universitetin Loughborough.
Nuk keni nevojë t’i besoni, ka dëshmi. Për një studim të publikuar në numrin e janarit 2014 të revistës Human Brain Mapping, hulumtuesit kërkuan nga pjesëmarrësit e pushueshëm ta përcillnin një objektiv që lëvizte në mënyrë rastësore në një monitor kompjuteri me një joystick për pak më shumë se një orë. Vëmendja e vazhdueshme që kjo e kërkoi çoi në shumë mikrogjumë: pjesëmarrësit i përjetuan 79 episode të mikrogjumit, të cilat në mesatare zgjatën deri në gjashtë sekonda secila, përcjell Koha.net. Në studimet si këto, pjesëmarrësit zakonisht kujtojnë që kanë qenë të zgjuar tërë kohën. Kjo është ndoshta sepse gjatë mikrogjumit, nuk e humbë vetëdijen i gjithë truri juaj. Shpesh është vetëm një rajon i vetëm, apo edhe disa neurone.
Siç mund të prisnit, përjetimi i mikrogjumit gjatë ndonjë detyre vjen me rënie në performancë. Kjo është arsyeja se pse është veçanërisht e rrezikshme ta ngisni automobilin ose të operoni me ndonjë makineri të rëndë kur jeni pa gjumë – të cilën njerëzit e bëjnë më shumë sesa që mund të mendoni. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se gjatë 30 ditëve të fundit 1 në 25 shoferë i ka zënë gjumi duke e ngarë veturën. Ndërmjet viteve 2011 dhe 2015, në SHBA kanë ndodhur më shumë se 4.000 aksidente me automjete si pasojë e ngasjes së përgjumur.