Mesfushori i Liverpoolit, James Milner beson se skuadra e tij duhet të jetë “më e mërzitshme” në mënyrë që të fitojë takimet.
Këto komente ai bëri pas barazimit 3 me 3 ndaj Arsenalit.
Liverpooli ishte duke udhëhequr 0-2, kurse brenda 13 minutave në pjesën e dytë “Topçinjtë” e përmbysën rezultatin në 3 me 2, dhe vetëm një gol i Firminos i siguroi një pikë “Të Kuqve”.
“Mendoj se kur je në një pozitë të tillë, në këtë nivel duhet të përfundohet takimi. Duhet të jesh më i mërzitshëm. Ne ishim të mirë në sulm, por ka raste në ndeshje kur duhet të shtrëngoheni për pesë minuta. Të gjitha golat ranë për fajin tonë, dhe prej kësaj duhet të mësojmë sepse duket se kjo është bërë temë për ne në këtë vit”, ka thënë Milner për Sky Sports.
Ai më tutje ka shtuar se, “luajmë një futboll aq të bukur dhe ndonjëherë duhet ta ndalim atë për pesë apo dhjetë minuta dhe të mësohemi me ndeshjen e situatën. Kur është koha që t’i marrim gjërat me qetësi duhet të luajmë pak më rreptë, dhe të mbajmë topin më tepër, pa tentuar që të shpërthejmë gjithmonë. Kundër ekipeve të mira, në këtë nivel ndëshkohesh, e kjo ndodhi edhe ndaj Arsenalit”.