Mini-Schengeni, rrezik real për kombin shqiptar dhe thikë pas shpine për Kosovën

Prishtinë | 22 Dhj 2019 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Samiti i tretë i “Minishengenit ballkanik” u zhvillua dje në Tiranë me liderët e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Partia e Koço Kokëdhimës, “Zgjdhja”, ka reaguar pas zhvillimit të Samitit duke shprehur se ideja për ‘Mini-Schengenin ballkanik’ është rrezik real për kombin shqiptar.

Image

“Mini-Schengeni ballkanik është falimentim për ekonominë e Shqipërisë dhe thikë pas shpine për Kosovën”, shprehet “Zgjidhja” në deklaratën për mediat.

Image

Ndër të tjera, kjo parti thekson se Kryeministri i Shqipërisë, me lojën e avokatit të interesave sllave në rajon, është bërë rrezik real për të ardhmen e shqiptarëve në rajon.

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Të ndalet kursi antishqiptar i Ramës!

Partia ‘Zgjidhja’ e ka deklaruar prej korrikut 2017, gjatë Samitit të Triestes, se ideja për ‘Mini-Schengenin ballkanik’ është rrezik real për kombin shqiptar. Ai është falimentim për ekonominë e Shqipërisë dhe thikë pas shpine për Kosovën. Sllavët në Ballkanin Perëndimor, më të shumtë në numër dhe më të fuqishëm ekonomikisht, do të pushtojnë tregjet e brishta shqiptare me produktet e subvencionuara nga shtetet e tyre, duke i falimentuar fermerët e vegjël shqiptarë dhe duke e bërë Shqipërinë të varur nga ekonomitë e vendeve fqinje.

Kosova e provoi mbi kurrizin e vet ekspansionin ekonomik dhe politikën antishqiptare të Serbisë, ndaj vendosi në nëntor 2018 taksën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë Hercegovinës. Këto dy shtete jo vetëm që shkelën marrëveshjen e CEFTA-s, por kanë minuar dhe minojnë çdo përpjekje të Kosovës nëpër botë si shtet i pavarur.

‘Mini-Schengeni’ i shteteve sllave dhe Shqipërisë që mbështet Rama u shkon për shtat vetëm përpjekjeve të Serbisë për të dominuar tregun me 20 milionë banorë. Kryeministri i Shqipërisë, me lojën e avokatit të interesave sllave në rajon, është bërë rrezik real për të ardhmen e shqiptarëve në rajon. Ai duhet ndalur sa nuk është vonë, në kursin e tij antishqiptar për të rrënuar Shqipërinë dhe për të izoluar Kosovën.

Të ngjashme