Ministri belg dënon nderimet për Mlladiqin: Është e turpshme dhe mungesë respekti për familjet e viktimave

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, për Çështjet Evropiane dhe Bashkëpunimin për Zhvillim i Belgjikës, Maxime Prévot, ka dënuar ashpër nderimet e rezervuara për funeralin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mladiq.

Prévot e cilësoi Mladiqin si kriminel të dënuar lufte dhe rikujtoi se ai është shpallur fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

“Kasapi i Bosnjës” ishte përgjegjës për disa nga mizoritë më të rënda të historisë evropiane, veçanërisht për gjenocidin e Srebrenicës”, shkroi Prévot.

Ai tha se është e turpshme dhe mungesë respekti ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që Mladiqit t’i rezervohen nderime të tilla në funeral.

“E dënoj këtë akt në termat më të fuqishëm dhe këtë mëngjes ia kam përcjellë këtë mesazh homologut tim serb përgjegjës për çështjet evropiane”, deklaroi ministri belg.

Prévot paralajmëroi gjithashtu se veprimet e tilla e largojnë Serbinë nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

“Është një hap që e distancon Serbinë nga vlerat themelore të BE-së – respekti për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë – duke shkuar në drejtim të kundërt me atë që pritet nga një vend kandidat për në BE”, theksoi ai.

Të ngjashme