Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prévot nesër do të jetë për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të së cilës deri më tani janë konfirmuar zyrtarisht dy takime nga pala kosovare.
Ministri belg do të takohet me kryeministrin Kurti në orën 13:30, njoftoi Zyra e kryeministrit.
Ndërsa, në orën 15:15 Prevot do të takohet me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca.
Pas këtij takimi, dy homologët do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Kryediplomati belg ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të vizitojë Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinën, kurse Shqipërinë, ka bërë të ditur ai, do ta vizitojë në një tjetër fazë, kur do të ketë ‘’kënaqësinë të hap ambasadën’’ belge në Tiranë,
Duke njoftuar për vizitën në vendet e rajonit, kryediplomati belg ka shkruar se është me rëndësi që për gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor të ruhet perspektivë e besueshme integrimi.
“Por procesi mbetet i bazuar në merita: presim prej tyre të kenë guximin për të zbatuar reformat e nevojshme, në lidhje me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe pajtimin rajonal”, ka thënë Prevot.