Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Behgjet Pacolli, bashkë me homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanoviq kanë dalë në konferencë për medie pas takimit mes dy palëve, raporton Ekonomia Online.
Ministri i MPJ-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se në këtë takim është biseduar për gjendjen aktuale. Pacolli tha se nuk ka çështje të hapura me Malin e Zi.
“Kemi biseduar për gjendjen aktuale që i kemi vlerësuar raportet si të shkëlqyera dhe kemi shqyrtuar mundësinë që na ofron ky bashkëpunim për të avancuar bashkëpunimet tona. Nuk kemi çështje të hapura me Malin e Zi. Ky shtet ka krijuar një ambient më të sigurt edhe për Kosovën duke e bërë rajonin rajon qind për qind të NATO-s dhe sa i përket Kosovës jemi të rrethuar me shtete anëtare të NATO-s”, tha Pacolli.
“…Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera dhe kemi pa sot që ka ende hapësirë për të rritë zhvillimin ekonomik dhe jemi të gatshëm si qeveri të mbështesim çdo iniciativë të forumeve”
Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, tha se janë të përkushtuar në prosperitet. Ai tha se Mali i Zi e mbështetë fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi dhe sipas tij është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve.
“Mali i Zi është i përkushtuar në prosperitet. Diskutimet me kolegët nga rajoni dhe BE-në kanë një pikë të përbashkët që është bashkëpunimi rajonal. Besoj që është e një rëndësie të veçantë që të bashkëpunojmë që të arrijnë anëtarësim më të shpejtë në familjen evropiane. E mbështesim fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë prandaj është e rëndësishme të theksohet sa e rëndësishme është të arrihet një marrëveshje. Shpresojmë që minoriteti jonë malazez do njihet në kushtetutën e Kosovës”, tha ai, raporton EO.
“…Ato duhet ta njohin njëra-tjetrën. Ne shohim një dialog intensiv, shohim konsensione të ndryshme për dialogun. Ne nuk përzihemi në çështje të brendshme të vendeve. Kemi disa brenga për korrigjim të territoreve. Nëse kjo është ide e mirë për fqinjët tanë, është mirë edhe për neve”, tha ai
Ndërsa sa i përket Demarkacionit, Pacolli tha se ky është problem i zgjidhur dhe sot nuk ka qenë çështje diskutimi.
“Ne e kemi zgjidhë këtë problem. Është i zgjidhur, është komisioni që do dalë dhe do shënojë këtë kufi. Nuk është temë diskutimi sot askund”, tha ai.
Ngjashëm u shpreh edhe ministri malazez duke theksuar se nuk ka pika kontestuese.
“Problemi është i zgjidhur. Nuk e shohim si çështje të hapur mes dy vendeve. Nuk ka pika kontestuese” deklaroi Darmanoviq.
Të dy pas takimit nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi.