Ministri nga radhët e AKR-së, në dokumentin që e kanë siguruar mediet javën e kaluar, për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit e ka përdorur si pretekst një vendim të këtij bordi ku ndër tjera parashihej rritja e pagave dhe marrja e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.
Dy anëtarë të rinj i janë shtuar disa javë më parë bordit të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, kur Qeveria e Kosovës emëroi në bordin e kësaj ndërmarrjeje ish-kandidatin për deputet të Kuvendit të Kosovës nga PDK, Muharrem Xhemajlin dhe Liridon Zogianin, po ashtu i afërt me Partinë Demokratike.
Në vazhdën e emërimeve të reja në bordin e “Ibër-Lepencit”, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka propozuar shkarkimin e katër anëtarëve aktual të bordit të kësaj ndërmarrjeje.
Njejtë sikurse emërimet e fundit në “Ibër-Lepenc”, edhe vendimi i ministrit Lluka për largimin e anëtarëve të bordit dyshohet se ka një prapavijë politike. Katër anëtarët e bordit për të cilët Lluka ka marrë propozim-vendim për t’i shkarkuar, janë të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Anëtarët të cilët pritet të shkarkohen janë: Fatos Salihi, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu, shkruan Insajderi.
Momentalisht kryesues i bordit të “Ibër-Lepencit” është Fatos Sahiti, i cili është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut. Është në listën e anëtarëve që ministri Lluka dëshiron t’i shkarkojë.
Ndërkaq, anëtarja tjetër e padëshirueshme në bord është Albina Maloku. Ajo është motra e Vlora Dumoshit, raporton Insajderi.
I afërt me LDK-në aty njihet edhe Imer Hamiti, ish-kryesues i Bordit në “Termokos”. Edhe ai është në listën e “shkarkimit” të ministrit Lluka. Po ashtu, edhe Sami Veliu është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i Agim Veliut, nënkryetarit të Lidhjes Demokratike.
Megjithatë, ministri Valdrin Lluka nuk ka thënë se propozimi për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit të “Ibër-Lepencit” ka të bëjë me lidhjet politike të tyre.
Ministri nga radhët e AKR-së, në dokumentin që e kanë siguruar mediet javën e kaluar, për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit e ka përdorur si pretekst një vendim të këtij bordi ku ndër tjera parashihej rritja e pagave dhe marrja e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.