Task Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve ka miratuar Rregulloren e Punës, si dhe ka formuar Bordin Këshillëdhënës për Pylltari.
Aprovimi i këtij dokumenti dhe formimi i Bordit është bërë sot gjatë takimit të tretë më radhë të kësaj Task Force, në të cilin kanë marrë pjesë Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera qeveritare, që janë pjesë përbërëse e kësaj Task Force.
Me këtë rast, Ministri Peci i ka vlerësuar shumë të rëndësishme aprovimin e këtyre dokumenteve për sektorin e pylltarisë, pasi që sipas tij tashmë po përcaktohet roli i Task Forcës si një organ ndërinstitucional për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve.
“Ministria e Bujqësisë tashmë e ka prioritizuar sektorin e pylltarisë, përmes hartimit të politikave të duhura pyjore. Në këtë drejtim kemi krijuar Task Forcën për Pyje, si dhe kemi aprovuar në Qeveri Ligjin e ri për Pyje dhe i njëjti është proceduar në Kuvend. Po ashtu kemi hartuar Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022 – 2030, e cila tanimë gjendet në zbatim. Hartimi dhe aprovimi i të gjitha këtyre dokumenteve përcjellëse do t’i kontribuojnë zhvillimit dhe menaxhimit të sektorit të pylltarisë”, ka thënë Ministri Peci, duke shtuar se do të vazhdojnë edhe përmes projekteve dhe hapave të tjerë për avancimin e sektorit të pyjeve në Kosovë.
Gjatë këtij takimi është bërë e ditur se në kuadër të pyllëzimeve MBPZhR-ja deri më tani ka pyllëzuar 309.30 hektarë apo 773,321 fidanë. Ndërkaq, Misioni i FAO-s në Kosovë ka pyllëzuar 50 hektarë apo 140 mijë fidanë.
Ndryshe, Bordi Pyjor Këshillëdhënës, i cili u votua sot në këtë takim, ka për mandat ofrimin e këshillave për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet vartëse të saj.