Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, Faton Peci, ka ndarë histori personale, duke theksuar se ka pasur angazhime të drejtpërdrejta në bujqësi.
Ministri Peci për emisionin “Reload”, ka treguar se çizmet janë një pjesë e përgatitjeve të tij të përditshme, madje ka pranuar se i ka mbathur edhe në situata emergjente.
“Nëna ime ka probleme shëndetësore, por i përcjell mediat dhe televizionet edhe një ditë më tha që nuk po mundem me kryer asnjë punë po i dëgjoj televizionet dhe po më vjen mirë se disa gazetarë dhe opinionist të gjithë po e vlerësojnë punën tënde, askush nuk po thotë që Fatoni nuk është ministër i suksesshëm. Edhe tha “pa prek kurrë me dorë shati e kaci me kanë ministër i Bujqësisë gjithçka po bajka vaki”. Përpara nuk kam pasur afër as ndonjë dele tash qengjin e marrë e vendosi në prehër”, ka thënë ai.
Ministri Peci ka theksuar edhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në terren, duke bërë të ditur se ka kryer 127 vizita publike zyrtare në vitin 2023.
“Vetëm në vitin 2023 vizitat publike zyrtare i kam pasur 127, që i bie mesatarisht diku se çdo të tretën ditë unë e kam vizituar një fermerë. Unë punoj çdo vikend, pjesën më të madhe të vizitave në terren i realizoj të premten, shtunën dhe të dielave. Këtë pjesën tjetër merrem me aspektin e administrimit dhe menaxhimit”, ka thënë ai.
Kjo përfshin vizitat e tij të rregullta te fermerët, duke pasur një mesatare prej një vizite në çdo tri ditë.
Ministri gjithashtu ka theksuar se ka marrë këshilla të vlefshme nga fermerët, duke e cilësuar atë si një burim të rëndësishëm për të udhëhequr dhe menaxhuar me efikasitet sektorin bujqësor.
“Edhe në vendet e BE-së është një lloj stereotipi posaçërisht për të rinjtë për ata që merren me angazhim në bujqësi, kështu që unë dua ta përçoj mesazhin që ministri i mbath çizmet, herë hypi në traktor, mbaj lopën, nganjëherë delen. Kabinetit tim nuk i vjen mirë, që këshillat më të mira i kam marrë nga fermerët”, ka thënë tutje ministri Peci.