Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci po merr pjesë në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi e cila po mbahet në Berlin. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë, këtë vit ky forum po i zhvillon punimet e veta online.
Tema kryesore e këtij viti ishte cilësia e tokës bujqësore dhe siguria ushqimore, ndërsa nga ana e tij, ministri Faton Peci në fjalimin e tij u zotua se përmes politikave bujqësore do të angazhohemi që t’i adresojmë shqetësimet të cilat lidhen me shëndetin e tokës, sigurinë ushqimore, mbrojtjen e biodiversitetit, ruajtjen e tokës nga degradimi, si dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të saj, me ç’rast u miratua edhe Deklarata e Përbashkët e shteteve pjesëmarrëse e titulluar “Shfrytëzimi i Qëndrueshëm i Tokës: Siguria Ushqimore fillon nga toka”.
“Ne kemi ndërmarrë një sërë hapash të cilat i adresojnë këto çështje duke u nisur nga themelimi i Task Forcës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Tokës Bujqësore, është hartuar dhe miratuar Koncept-dokumenti për Tokën Bujqësore, ndërsa gjatë këtij viti do të finalizohet Ligji për Tokën Bujqësore i cili rregullon menaxhimin e tokës bujqësore përfshirë edhe atë në pronësi shoqërore. Pjesë e agjendës legjislative të këtij viti është dhe Koncept-dokumenti për Rregullimin e Tokës i cili do të rregullojë konsolidimin / komasacionin e tokës”, shtoi mes tjerash ministri Peci.
Kjo konferencë ndërkombëtare organizohet nga Ministria Federale për Ushqim dhe Bujqësi në bashkëpunim me Senatin e Berlinit e cila trajton çështjet me rëndësi jetike e që lidhen me politikat globale të bujqësisë dhe ushqimit.