Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka prezantuar programin për zhvillimin rural për këtë vit, kryesisht grante dhe subvencione.
Peci tha se për këtë vit janë paraparë të ndahen rreth 26.2 milionë euro grante në sektorin e bujqësisë e blegtorisë, raporton Ekonomia Online.
“Programi ka për qëllim rritjen e konkurrencës së sektorit agro-ushqimor duke përmirësuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në fermë, përkrahjen e fermerëve të rinj, për të orientuar prodhimin sipas kërkesës së tregut, sigurimin e përgjigjes më të mirë ndaj kërkesës për ushqim më cilësor”, ka thënë Peci në konferencën për medie.
Ai tha se 13 milionë euro,do të ndahen që fermerët të mund të përfitojnë investime në strukturën e fermave, përmirësimin e kushteve higjienike në fermat blegtorale, modernizimin e pajisjeve dhe objekteve për, siç tha ai, arritje të standardeve evropiane.
Peci tha se do të ketë rritje të sipërfaqeve me pemë, dhe perime në plantacione të hapura. po ashtu tha se 5.8 milionë do të ndahen për përpunim të qumështit, mishit, pemëve dhe verës.
Ministri tha se javën e ardhshme do të fillojë hartimi i udhëzimit administrativ për zbatimin e këtij programi.
“Javën që vjen, nis hartimi i udhëzimit administrativ për zbatimin e këtij programi, grantet në bujqësi, dhe do të miratohet pas realizimit të procesit konsultativ të dëgjimit paraprak dhe të dëgjimit publik”, shtoi ai.
Për fund, ministri tha se për të shmangur parregullsitë, në momentin e vlerësimit do të kalojnë edhe nëpër duart e partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Duke e ditur se grantet e mëhershme janë shoqëruar me parregullsi, ne do të marrim masa shtesë për vlerësimin e këtyre granteve dhe subvencioneve. Do të kërkojmë përkrahjen e partnerëve dhe organizatave të shoqërisë civile në mënyrë që të jemi objektivë dh transparentë”, tha ai.