Ministri Vitia konfirmon edhe një rast me Coronavirus, dy të tjerë lirohen në shtëpi

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 16:37 | Nga Hasna Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i shëndetësisë Arben Vitia, ka konfirmuar edhe një rast të prekur me Coronavirus, raporton Ekonomia Online.

Vitia ka thënë se deri më tani në laboratorin e Mikrobiologjisë i Klinikës Infektive janë testuar 271 raste.

“Siç, jeni njoftuar në vazhdimësi përmes laboratorit të Mikrobiologjisë janë testuar 271 mostra të dyshimta dhe 17 prej tyre kanë rezultuar pozitiv”.

“Gjendja e të prekurve është stabile me përjashtim të njërit prej pacientëve atij më të vjetrit, pacientët e tjerë janë në gjendje stabile, bile dy nga të hospitalizuar janë liruar në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkaranatinë ”, ka thënë ai.

Ministri Vitia ka thënë se së shpejti institucionet shëndetësore, policia dhe doganat  do të pajisen mjete mbrojtëse.

“Dje ka përfunduar procedura e tenderimit për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësorë, si maska respiratorë, veshje mbrojtëse për trup,  mburoja për fytyrë dhe shërbime tjera mbështetëse për polici, doganë etj. Me këto mjete do të kemi furnizime të qëndrueshme për të gjitha institucionet e lartpërmendura sepse siç e dini rezervat që i kemi gjetur nuk kanë qenë të mjaftueshme për një situatë si kjo”, tha Vitia.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se bëhet fjalë për një familjar të personit të infektuar nga fshati Dumnicë i Komunës së Podujevës.

“Rasti i sotshëm është rasti i Dumnicës. Familjar i personit të parë që është konfirmuar si pozitiv në këtë fshat”, tha ai.

Teksa ka folur për realizimin e planit rreth kësaj epidemie, Ramadani ka thënë se IKSHP-ja po kryen punën e saj në përpilimin e databazës, ku i jep mundësi që t’i identifikojnë personat e dyshimtë.

“Janë krijuar të gjitha strukturat institucionale në realizimin e këtij plani dhe njëkohësisht është krijuar plani në nivel të Shëndetësisë dhe është ndarë buxhet i konsoliduar. Të gjitha këto janë falë ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë dhe në bashkëpunim me të gjithë institucionet shëndetësore, që po na ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tashmë me 17 raste të raportuara dhe me hulumtimin e të gjitha kontakteve të të gjitha rasteve të rendit parë dhe të dytë dhe me hulumtimin e të gjitha kontakteve të cilët eventualisht kanë mundur të kenë bashkatdhetarët tanë të kthyer nga vendet epidemike, ne kemi konsoliduar radhët në përpilimin e databazës e cila do na jep mundësi që t’i identifikojmë të gjithë personat e dyshimtë të cilët eventualisht mund të jenë vatër e infeksionit të sëmundjes”, ka thënë ai.

Ramadani ka deklaruar se në spital momentalisht me gjendje më të vështirë është 77 vjeçari nga komuna e Vitisë.

“Në spital është 77 vjeçari, dy raste të familjes së njëjtë tashmë gjenden në shtëpinë e tyre kanë kushte optimale bashkë me familjarët tjerë, jo me insistimin tonë, ambienti social në shtëpinë e tyre ka qenë shumë më i mirë”, shtoi ai.

Adresimi i plotë i ministrit Vitia:

Dëshirojmë të ju falënderojmë për angazhimin tuaj të pakursyer për të informuar popullatën lidhur me zbatimin e masave të ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e rasteve me Koronavirus Covid-19 dhe situatës epidemiologjike në tërësi pas vendimit të Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetësisë publike.

Ashtu siç jeni informuar në vazhdimësi deri më sot, në Kosovë, përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 271 mostra të dyshimta në Covid-19 dhe gjithsej shtatëmbëdhjetë (17) prej tyre kanë rezultuar pozitive (+).

Informatat nga Klinika Infektive e QKUK-së janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen në Klinikë (10 pacientë) është stabile dhe me përjashtim të njërit prej pacientëve, më të moshuarit, që kohë pas kohe, po asistohet me oksigjeno terapi, pacientët e tjerë janë duke marrë një trajtim mjekësor mbështetës dhe janë në gjendje stabile.

Dy (2) prej të hosipitalizuarve më parë janë liruar në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkarantinë.

 Duke shprehur një mirënjohje të veçantë për angazhimin e madh të punonjësve shëndetësore në trajtimin e të prekurve me koronavirus dhe në hulumtimin e rasteve të kontakteve të personave tashmë pozitiv dhe kontakteve të tyre, më lejoni të ju them se brenda mekanizmave për menaxhimin e situatës është një angazhim i madh i të gjitha ministrive, organizatave dhe pushtetit lokal për t’u ballafaquar në mënyrë sa më efikase me situatën.

Në këtë aspekt, ju informoj për disa veprime të menjëhershme të ndërmarra pas shpalljes së gjendjes emergjente të shëndetit publik nga Qeveria:

·         Dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si: maska-respirator FFP2, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, çarqafë dhe mjete të tjera për personalin mjekësor dhe shërbimet e tjera mbështetëse si Polici, Dogana dhe të tjerët nga mjetet 400 000 euro të ndara më parë nga Qeveria;

·         Me këto mjete do të kemi furnizime më të qëndrueshme për të gjitha institucionet e lartpërmendura, sepse siç e dini, rezervat që i kemi gjetur nuk kanë qenë të mjaftushme për një situatë si kjo.

 

·         Gjithashtu, Qeveria ka alokuar 6.2 milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm prej shumës prej 10 milionë eurove për zbatimin e aktiviteteve të përfshira në Planin e Veprimit kundër Covid 19, për të siguruar mjete mbrojtëse për personalin shëndetësor, furnizimin e QKMF-ve në komuna dhe shërbimeve të tjera mbështetëse dhe siguruar vijimësinë e aktiviteteve kundër Covid-19;

·         Javën që vjen në Kosovë do të vjen një kontigjent  i mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore-donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

·         Gjithashtu, OBSH ka ndarë një ndihmë në vlerë prej 7 milionë eurove; që do t’i përforcojnë furnizimet në institucionet shëndetësore;

·         Banka Botërore ka ofruar mbështetje financiare për aktivitetet në masat kundër Covid-19 në vlerë prej 7.9 milionë eurove.

·         Kanë filluar edhe donacione të ndryshme në materiale dhe mjetë të tjera të distributorëve lokalë, por edhe individëve si shenjë e solidaritetit me përpjekjet e përgjithshme të përbashkëta kundër Koronavirusit;

·         SHSKUK ka shndërruar Klinikën Infektive tashmë në klinikë që do të shërbeje vetëm për rastet e Koronavirusit, derisa kapacitetet do të përforcohen edhe përmes lirimit të hapësirave të Klinikës së Pulmologjisë, Dermatovenerologjisë (pacientët e pulmos transferohen ne klinikën e Alergologjisë);

·         Objekti i ri i Mjekësisë Sportive është duke u bërë gati gjithashtu për të shtuar kapacitetet edhe me rreth 100 shtretër të tjerë, që në total vetëm brenda këtyre shërbimeve (Infektiva, Pulmo, Derma dhe Mjekësia Spotive) na sigurojnë rreth 500 shtretër për një fluks eventual më të madh të pacientëve me Koronavirus;
 

·         Spitaleve private u është kërkuar të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre si: resurset humane, pajisjet dhe infrastrukturën, nëse do të ketë nevojëdhe, qysh sot kemi marrë përgjigjet e para pozitive;

·         Do t’a kemi karantinën e parë gati (në Prishtinë) për personat e ekspozuar ndaj rrezikut në momentin që për një masë të tillë ka nevojë dhe kemi opsione edhe për të tjera jashtë Prishtinës;

·         Kjo masë vlen për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit;
 

·         Kemi regjistruar vetëm dje rreth 150 vullnetarë të profileve të ndryshme mjekësore (shumica) dhe jo-mjekësore, të gatshëm për t’u inkuadruar qysh sot në shërbim, dhe kemi bërë edhe Komisionin në MSh i cili bën distribuimin e vullnetarëve sipas nevojave në terren;
 

·         Kemi hapur dhe konsoliduar Qendrën Operative 24 orëshe në MSh që ndërlidh strukturat lokale me pushtetin qendror për adresimin e nevojave nga terreni, sikurse edhe Qendrën e thirrjeve në IKSHPK,  ku deri tash janë pranuar e adresuar mbi 1600 thirrje të qytetarëve në të cilat janë përgjigjur profesionistët e IKSHPK-së dhe të MSh-së;
 

·         Kemi bërë furnizimet e reja në komunat ku janë ndaluar hyrje –daljet (Viti, Klinë, Malishevë e Podujevë) dhe furnizime të tjera edhe më të qëndrueshme do të bëhen ditëve në vijim, pas kontraktimit që ka bërë dje Ministria;
 

·         Para QKMF-ve në Komuna, me ndihmën e FSK-së dhe të Kryqit të Kuq po vazhdon vendosja  tendave për triazhimin e rasteve me rastin e marrjes së shërbimeve në kujdesin shëndetësor nga qytetarët;
 

·         Kemi koordinuar veprimet edhe me organizatat e komunitetit mjekësor dhe farmaceutik si Oda e Mjekëve, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës; Oda e Farmacistëve dhe Odat e tjera, me qëllim të koordinimit të plotë të aktiviteteve  si dhe;
 

·         Kemi organizuar takim me distributorët farmaceutikë, të cilët na kanë informuar rreth gjendjes së stoqeve farmaceutike në Kosovë dhe mundësisë së donacioneve nga ata.
 

Ajo që dua t’i them popullatës tani është që të mos krijojnë frikë e as stoqe farmaceutike, sepse, bazuar në të dhënat e prezantuara nga komuniteti farmaceutik në Kosovë, edhe sikur të mos këtë asnjë mundësi të importit të këtyre produkteve, Kosova ka stoqe edhe për 4 muajt e ardhshëm për ta përballuar secilën situatë.

 Gjithsesi, në kërkojmë nga popullata që të jetë shumë më e vëmendshme në respektimin e masave dhe ndalesave që ka sjellë Qeveria, sepse ne tashmë jemi në ditët dhe javët vendimtare për një menaxhim të suksesshëm të epidemisë dhe kufizimet e vëna kanë për qëllim të parandalojnë përhapjen e virusit dhe mbrojtjen e gjithë popullatës.

 Në këtë aspekt, Policia e Kosovës do të zbatojë masa ndaj atyre që nuk i zbatojnë ato, duke u thirrur në përgjegjësitë ligjore konform gjendjes emergjente të shëndetit publik të shpallur nga Qeveria.

Sepse, nuk duam, nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që neglizhenca e e kujtdo qoftë t’i kushtojë krejt popullatës së Kosovës. 

 
Për këtë qëllim po bëjmë një koordinim shumë të mirë me strukturat e sigurisë përfshirë pra Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjensionin për Menaxhimin e Emergjencave dhe Qendrën e Situatave të Kosovës, të cilët i falënderojmë, gjithashtu për kontributin.

Mbi të gjitha, falënderoj Kryemnistrin Kurti dhe gjithë Kabinetin qeveritar që në këtë situatë po i japin MInistrisë së Shëndetësisë  përkrahjen maksimale për ta menaxhuar dhe tejkaluar këtë situatë sa më mirë.
 

Në fund, duke i bërë thirrje të fuqishme popullatës që të zbatojnë rekomandimet e Qeverisë dhe në veçanti të minimizojnë daljet vetëm kur është e domosdoshme, ju bëj thirrje gjithashtu të gjithëve që të mos bëjnë stigmtizimin e të prekurve nga Koronavirusi, duke shprehur solidaritet me ta në përballimin e sëmundjes, për çka ne jemi të bindur se do t’ia dalin, bazuar edhe në statistikat e ulëta të rasteve që nga Koronavirusi përfundojnë me fatalitet, në të gjitha ato vende ku përgatitjet janë bërë me kohë dhe në mënyrë të koordinuar.


Të dashur qytetarë,

·         Në këtë situatë ndihma e juaj është e domosdoshme.

·         Deri tani keni treguar një kulturë të lartë të vetdijësimit dhe solidaritetit,

·         Prandaj, ju ftojmë edhe një herë të jeni bashkë me ne në krye të detyrës, duke ruajtur shëndetin e njëri-tjetrit.

·         

·         Mbani distancë nga njëri-tjetri.

·         Reduktoni daljet veç në raste emergjente.

·         Pastroni duart mirë dhe shpesh me sapun dhe dezinfektues me bazë alkooli;


Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ne do të ju mbajmë vazhdimisht të informuar për situatën dhe masat e ndërmarra dhe bashkërisht do ta kalojmë këtë sfidë.
 
Pa frikë, por me kujdes, për shëndetin e njëri-tjetrit!

Të ngjashme