Më 16 mars të këtij viti, Pjetër Shala, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar nga autoritetet e Belgjikës me kërkesën e Gjykatës Speciale. Kjo e fundit, ka njoftuar se Shalës, që gjatë kohës së luftës njihej me nofkën “Ujku”, i ka ngritur aktakuzë për krime lufte.
Por ndonëse kanë kaluar më shumë se një javë që nga arrestimi i tij, Pjetër Shala po vazhdon të mbahet në Belgjikë, ku edhe jetonte para arrestimit, në pritje të ekstradimit për në Hagë.
Megjithëse ende nuk dihet se kur Shala do të ekstradohet për t’u përballur me gjykimin në Speciale, Ministria e Drejtësisë së Belgjikës ka konfirmuar të mërkurën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se procedura për dorëzimin e tij në duart e autoriteteve të Hagës ka nisur.
Në përgjigjen e tyre, thuhet se arrestimi dhe transferimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së bazohet në ligjin belg për bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
“Arrestimi dhe transferimi i Pjetër Shalës bazohet në Ligjin Belg të vitit 2004 mbi bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Tribunalet Penale Ndërkombëtare dhe jo në legjislacionin e zakonshëm për arrest dhe ekstradim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë belge të Drejtësisë për Reporteri.net.
Tutje, kjo ministri thekson se procedurat e ekstradimit të Shalës në Hagë janë duke vazhduar, por pa dhënë ndonjë datë se kur ish-komandanti i UÇK-së do të dorëzohet në duart e Speciales.
“Nenet 86 dhe 87 janë të aplikueshme ndaj arrestimit dhe transferimit të personave, pavarësisht të nacionalitetit të tyre. Diskutimet janë duke vazhduar”, thuhet në përgjigjen, për Reporteri.net, të zëdhënëses së Ministrisë belge të Drejtësisë, Christine-Laura Kouassi.
Këtë çështje, përkundër interesimit të Gazetës Online ‘Reporteri.net’, nuk e kanë komentuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Në aktualisht nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informatë shtesë nga ajo që është publikuar në komunikatën për shtyp më 16 mars 2021”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale, shkruan Reporteri.net.
Në komunikatën e përmendur nga Specialja thuhet se Pjetër Shala është arrestuar në Belgjikë, i cili do të mbahet në shtetin belg në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së, në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhej në kumtesë.
“Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, ka theksuar Specialja në njoftim, duke shtuar se “së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme”.
Për këtë arrestim kishte reaguar edhe OVL e UÇK-së duke thënë se secili ish-ushtar është cak i Gjykatës Speciale.
Pjetër Shala, i njohur si “Ujku”, gjatë kohës së luftës ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë.
Në shkurt të 2019, ai ishte intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.
Me banim në Belgjikë, Shala kishte thënë se gjatë intervistimit nuk ka pasur avokat pasi nuk ka kushte për të pasur një avokat mbrojtës.