Komuna e Prishtinës po e kërkon borxhin prej 7 milionë eurosh nga Ministria e Ambientit për pronat e Komunës të shpronësuara gjatë ndërtimit të rrugëve nacionale, i cili borxh Komunës i është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, si e drejtë për t’u realizuar.
Konfirmimin e së drejtës rreth këtij borxhi e ka bërë të ditur zëdhënësja e Komunës, Miranda Mullafazliu, duke shtuar se me gjithë këtë Ministria nuk po i kryen obligimet e saj ndaj Komunës.
Mullafazliu ka thënë se Komuna e ka marrë vendimin e Gjykatës së Apelit për këtë borxh, por jo edhe pagesën e këtij borxhi nga ana e Ministrisë.
Deri tash MMPH-ja ia ka paguar Komunës vetëm një këst prej 800 mijë eurosh para disa muajsh, dhe është ndaluar me kaq.
E zyrtarë të Ministrisë kanë thënë se ata kanë një dinamikë të pagesave që duhet të bëjnë, pa dhënë detaje se çka është paraparë në atë dinamikë për sa i përket borxhit karshi Komunës së Prishtinës.(Koha Ditore)