Një autobus i cili ishte nisur gjatë ditës së djeshme nga Gjermania për të ardhur në Kosovë, gjatë rrugës është përfshirë nga flakët.
Thuhet se në mesin e udhëtarëve ka edhe të lënduar. Ata kanë thënë se rasti ka ndodhur në orën tre pas mesnatës, në kufi me Kroacinë dhe Serbinë.
Lidhur me këtë rast, përmes një komunikate për media ka reaguar Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike të Kosovës.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se ekipi i ministrisë është në kontakt dhe në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së bashkatdhetarëve.
“Me keqardhje dëgjuam lajmin për aksidentin, nga i cili është përfshirë në flakë autobusi i një kompanie turistike që ka bërë transportin e 29 pjesëtarëve të diasporës nga Gjermania për në Kosovë. Nga informatat e para që kemi marrë, ky aksident ka përfunduar pa fatalitete, që është një lajm i mirë. Ekipi im në Ministri është në kontakt dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe do të reagojmë nëse paraqitet nevoja”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndër tjera në njoftim thuhet se kjo nuk është hera e parë që bashkatdhetarët pësojnë aksident gjatë ardhjes në vendlindje, andaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ketë kontroll më të madh në certifikimin e kompanive të automjeteve për bartjen e udhëtarëve.
“Kjo nuk është hera e parë që autobusë me bashkatdhetarë janë të involvuar në aksidente ku, si pasojë, rrezikohet jeta e udhëtarëve. Kërkojmë nga institucionet relevante dhe Policia e Kosovës që të jenë më rigorozë gjatë kontrollimit dhe certifikimit të kompanive që posedojnë automjete për bartjen e udhëtarëve në distanca më të largëta. Njëherësh të lënduarve ju urojmë rikuperim të shpejtë”, thuhet në fund të njoftimit.