Plotësimi i pozitave me ushtrues detyre më gjatë se tre muaj, vonesa në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit, mosrealizim i duhur i buxhetit si dhe mungesa e zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak janë disa nga gjetjet që ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) në raportin për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) për vitin e kaluar, shkruan sot Koha Ditore.
Dy gjetjet e para thuhet se përsëriten vit pas viti, ku dy pozita drejtorësh thuhet se mbahen me ushtrues detyre që nga viti 2017.
Me këto gjetje thuhet të jetë pajtuar edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha. Ministri thuhet se është zotuar se do t’i marrë parasysh gjetjet dhe do t’i adresojë rekomandimet.
“Pajtohem me gjetjet dhe rekomandimet dhe nuk kam ndonjë koment për përmbajtjen e Raportit, si dhe brenda 30 ditëve nga pranimi i Raportit final do t’ua dorëzoj një plan të veprimit për implementimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për implementimin e tyre”, thuhet në përgjigjen që ZKA-ja ka marrë nga ministri Berisha…