Ministria e Shëndetësisë dërgon ekipin e parë mjekësor për në Turqi, pas tërmetit shkatërrues

Prishtinë | 07 Shk 2023 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka nisur ekipin e parë mjekësor për në Turqi, për t’i dalë në ndihmë këtij shteti që, më 6 shkurt, u godit nga tërmete të fuqishme vdekjeprurëse. Mjekët dhe infermierët e Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës tashmë kanë arritur në teren, shkruan Gazeta Insajderi.

Kështu bëhet e ditur në përgjigjet e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhënë Insajderit.

Shumica e qytetarëve turk po vdesin nga mungesa e ndihmës mjekësore, Gazeta ka pyetur nëse Shskuk ka kapacitet që të dërgoj ekip mjekësor në Turqi.

Në përgjigjet e tyre, thuhet se ShSKUK është e gatshme që në rast nevoje të dërgojë edhe ekipe të tjera mjekësore.

“Ju njoftojmë se ShSKUK, në koordinim të plotë me Qeverinë e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Shëndetësisë, ka dërguar ekipin e parë mjekësor si mbështjetje për shtetin turk. Në ekip bëjnë pjesë mjekë emergjent dhe infermierë nga emergjenca. ShSKUK është e gatshme që në rast nevoje të dërgojë edhe ekipe të tjera mjekësore”, thuhet ne përgjigjet e ShSKUK.

Nga Kosova për në shtetit turk ka arritur edhe një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës për operacionin humanitar.

Lajmi u dha nga ministri i Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj, i cili tha se kontingjenti përbëhet nga specialistët e kërkim-shpëtimit urban, personel mjekësor ushtarak dhe qen të kërkim-shpëtimit.

“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim-shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit”, shkroi Mehaj në Facebook.

“Task-forca e FSK-së përbëhet nga specialistët tanë në kërkim- shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.Republika e Kosovës ka ushtrinë profesionale me moral të lartë për të qenë në shërbim të vendit dhe vendeve e popujve miq kudo dhe kurdo që shfaqet nevoja”.

Të ngjashme