Ministria e Shëndetësisë e ka kthyer në treg produktin “Omeprazol” për injeksion 40 miligramë të prodhuesit “Swiss Parenteral” me lokacion në Indi.
Ky vendim vjen pasi Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ka kompletuar analizat e kontrollit të cilësisë për kontroll të jashtëzakonshëm të produktit në fjalë.
“Rezultatet e fituara në parametrat e kontrolluar për produktin omeprazol për injeksion 40 mg kanë rezultuar konform parametrave dhe standardeve të kërkuara të cilësisë në të dy laboratorët”, thuhet në komunikatën e MSh-së.
“Prandaj, shfuqizohet Vendimi i AKPPM-së i datës 16.05.2023 me numër protokolli 1760 për produktin Omeprazol për injeksion 40 mg, me numër serik 2122324”, thuhet tutje.
AKPPM këshillon profesionistët shëndetësor që të ndjekin udhëzimet e prodhuesve për produktet medicinale të specifikuara në karakteristikat përmbledhëse të produkteve dhe fletudhëzimet e tyre përkatëse.