Ministrja Bajrami: Protesta kundër emërimeve në bordin e UP-së e motivuar politikisht

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Hykmete Bajrami ka thënë se përzgjedhja e anëtarëve të bordit të Universitetit të Prishtinës është bërë duke respektuar gjithë procedurat dhe legjislacionin në fuqi, ndërsa protestën e djeshme nga disa organizata e ka cilësuar si të motivuar politikisht.

Edhe pse kohë pandemie, përfaqësues të disa organizatave studentore e të shoqërisë civile, siç janë Admovere dhe ORCA, dje kanë protestuar para MASHTI-t pas vendimit të ministres në detyrë Hykmete Bajrami për emërimin e anëtarëve të bordit të Universitetit të Prishtinës.

Kjo protestë erdhi për shkak se 2 nga 3 të emëruarit në bordit të Universitetit të Prishtinës punojnë në kolegje private.

Në një prononcim për FaktePlus, ministrja në detyrë Hykmete Bajrami tha se emërimet në bordin e UP-së janë të bazuara në procedura e ligj dhe Kushtetutë.

Ajo madje protestën e djeshme nga disa organizata të shoqërisë civile e ka cilësuar si të motivuar politikisht.

“Ato protesta janë të motivuara politikisht. Ato organizata që kanë protestuar janë organizata politike që veten e quajnë shoqëri civile. Mendoj që diçka e tillë është e dëmshme kur shoqëritë civile marrin anë politike. Jam e sigurt që kam vepruar në kuadër të ligjit dhe kushtetutës dhe në bazë të kompetencave të mia si ministre e Arsimit”, është shprehur Bajrami.

Nga MASHTI ritheksohet se bazuar në analizat e tyre, kjo përzgjedhje nuk është në kundërshtim me Ligjin për shmangien e konfliktit të interesit.

Në këtë rast, Bajrami ka treguar se për t’u siguruar lidhur me këtë çështje i ka shkruar edhe Agjencisë Anti-Korrupsion, dhe pa një opinion të tyre, MASHTI nuk do të merr ndonjë vendim.

“Lënda e të dy të emëruarve në Këshillin Drejtues ka shkuar në Agjencionin Anti-Korrupsion. Unë ndërmarr veprime nëse veç nga Anti-Korrupsion thonë se është konflikt interesi”, ka theksuar ministrja.

Duke shfaqur besimin se emërimet e tashmë janë të bazuara në procedura, ligj dhe Kushtetutë, Bajrami thotë se edhe në të kaluarën ka pasur raste të tilla të emërimeve, por që për ato nuk janë bërë protesta.

“Në bazë të analizave por edhe vendimeve të mëhershme ka plotë raste të njëjta. Për shembull kryesuesi i Këshillit Drejtues në Universitetin e Ferizajt ligjëron edhe në një kolegj privat dhe asnjëherë tjetër nuk kemi pa protesta të tilla”.

Ministrja Hykmete Bajrami ditë më parë ka shkarkuar 3 anëtarët e Këshillit të UP-së, Ujkan Bajrën, Fadil Osmanin dhe Drita Shoshin, me arsyetimin se Këshilli ka dështuar t’i kryejë detyrat e tij.

Në vend të tyre ka emëruar Mentor Gecin, Fisnik Reçicën e Muharrem Bajramin. Dy të parët punojnë në kolegje private.

Kjo bëri që organizata “Studim Kritikë Veprim” të kërkonte që vendimi për emërimin e dy anëtarëve në Këshill drejtues të zhbëhet. Sipas tyre, ky vendim është cenim i autonomisë së Universitetit të Prishtinës dhe e vë në rrezik cilësinë e arsimit.

Kurse në protestën e djeshme morën pjesë një numër i vogël studentësh nga organizatat studentore “Skopi” dhe USPE, si dhe aktivistë e organizata nga shoqëria civile (ORCA dhe ADMOVERE).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme