Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u prit nga Komisionari Dimitris Avramopoulos, përgjegjës për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, dhe me këtë rast, theksoi rëndësinë e lëvizjes së lirë për shtetasit e Kosovës.
“Ne, nga dita e marrjes së udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave, më 2012, nga niveli qendror dhe lokal, kemi qenë të përkushtuar për zbatimin sa më të shpejt të kritereve për liberalizim, theksoi Ministrja Hoxha.
Ne së bashku, kemi arritur deri këtu, tash, theksoi Ministrja Hoxha, presim nga Ju dhe instancat vendimmarrëse, të ndikojnë dhe ofrojnë përkrahjen që edhe Këshilli i Ministrave të heq kufizimin e lëvizjes së lirë, të heq pabarazinë ndaj shtetasve të Kosovës dhe ta gëzojmë edhe ne lëvizjen e lirë, bashkë me qytetarët tjerë të Ballkanit dhe Evropës.
Komisionari për Punë të Brendshme i BE-së, Dimitris Avramopoulos, ka vlerësuar dhe mirëpritur angazhimin e Kosovës dhe bartësve të përgjegjësive institucionale për lobim dhe marrjen e përkrahjes nga vendet e veçanta për votimin pro në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ai ka theksuar se përmbushja e kritereve për liberalizim është konfirmuar nga Komisioni, si dhe me vendimin e Komitetit të Parlamentit Evropian për Liri Civile (LIBE), dhe votimin në Parlamentin Evropian.
Ai e rikonfirmoi përkrahjen e tij të plotë për liberalizimin e vizave pranë organeve vendimmarrëse në Bruksel për votim pro në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në fillim të dhjetorit.