Ministrja Hoxha në Këshillin e MSA-së shpreh zhgënjimin për mosmarrjen e vendimit për heqjen e vizave

Bruksel | 17 Dhj 2018 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Në seancën plenare të Këshillit të përbashkët të MSA-së, BE-Kosovë, të cilën e udhëhoqën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Federika Mogherini, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka diskutuar për Kriteret politike, Kriteret ekonomike, implementimin e MSA-së si dhe bashkëpunimin financiar.

Ministrja Hoxha në fjalën e saj u fokusua në faktin se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shprehu shqetësimin për mos marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, gjë e cila vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së dhe është zhgënjyese për qytetarët.

Në takim, Ministrja Hoxha ka theksuar se është përshpejtuar zbatimi i reformave gjithëpërfshirëse për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke u fokusuar në zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave.

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë kapitull pozitiv i Kosovës, ka theksuar Ministrja Hoxha, duke cekur pengesat që Kosova ka hasur në tregtinë e lirë.

“Kosova ka miratuar Pakon e ligjeve për Reformën e Administratës Publike dhe Programin e Menaxhimit të Financave Publike, përzgjedhjen në sektorin publik të nëpunësve civilë të lartë, racionalizimin e agjencive të pavarura për të rritur llogaridhënien, eliminimin e kompetencave të mbivendosura dhe sigurimin e një administrate publike më të strukturuar”, theksoi ministrja Hoxha.

Kosova, sipas saj, është duke përmirësuar sundimin e ligjit dhe klimën e investimeve për investimet vendase dhe të huaja, duke përfshirë të drejtat pronësore të investitorëve.

Të ngjashme