Ministrja Nagavci mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit të 14-të të Edukimit

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit të 14-të të Edukimit, si dhe Panairit të 18-të të Turizmit dhe Sportit, të cilat do të qëndrojnë të hapura përgjatë dy ditëve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka theksuar rëndësinë dhe lidhjen që kanë mes vete këto dy panaire, ndërsa ka thënë se këto aktivitete janë në linjë të njëjtë me objektivat e Qeverisë së Kosovës.

Pasi që falënderoi për organizimin kompaninë CEO – Congress & Event Organization, ministrja Nagavci u shpreh e kënaqur që këtë vit Panairi i Edukimit ka në fokus arsimin dhe aftësimin profesional, që është edhe një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit.

Ministrja Nagavci përmendi disa aktivitete të mbështetura nga MAShTI në sport e turizëm për nxënësit tanë, ndërsa vuri theksin te rëndësia e orientimit në karrierë të nxënësve, ku ndër të tjera, përmendi bashkëpunimin me partnerët zhvilimorë në themelimin e 15 qendrave të karrierës deri më tani.

Ministrja përgëzoi shkollat e mesme profesionale pjesëmarrëse, ndërsa ftoi nxënësit dhe të rinjtë që të vizitojnë këto panaire për t’u njohur me mundësitë që ofron arsimi dhe aftësimi profesional.

Në këto panaire po marrin pjesë ekspozues nga vende të ndryshme, ndërsa nxënësit dhe studentët kanë mundësi të takojnë përfaqësuesit e shkollave dhe universiteteve ku do kenë mundësi te marrin një pasqyrë të detajuar në lidhje me aplikimin për bursë, të njihen me strukturën e drejtimeve dhe lëndëve, të njihen me mënyrën e  gjetjen e punës praktike, apo punës me orare te shkurtëra, gjithashtu të marrin edhe informacione të tjera që iu interesojnë.

Të ngjashme