Ministrja Nagavci në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor ku po diskutohet agjenda e kërkimeve dhe inovacionit

Prishtinë | 28 Qer 2022 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po merr pjesë në takimin ministror të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet agjenda e kërkimeve dhe inovacionit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim po zhvillohet në Tiranë nën kujdesin e Komisioneres Europiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin dhe Rininë, Mariya Gabriel.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka theksuar përkushtimin e Kosovës që të kontribuojë në komunitetin evropian shkencor, në mënyrë që së bashku të punohet për zgjidhjen e sfidave globale.

Ministrja Nagavci tha se, ne aktualisht po trajtojmë një nga sfidat tona afatgjata në gjenerimin e rezultateve të të dhënave kërkimore në nivel kombëtar dhe është duke u zhvilluar Sistemi Informativ i Kërkimit në Kosovë

Duke folur për arritjet, ministrja Nagavci theksoi faktin se Kosova tashmë ka bërë një hap të madh duke u bërë kohët e fundit një vend asociuar në programin Horizon Europe. Ajo tha se se vendi ynë së fundmi i është bashkuar edhe Anketës Sociale Evropiane si vend mysafir për raundin e 11-të, dhe është qëllimi ynë që të bëhemi anëtar i plotë. Po ashtu, ajo theksoi se po finalizojmë punën tonë për t’iu bashkuar EuroHPC dhe European Open Science Cloud shumë shpejt.

Ndër të tjera, ministrja përmendi programin COST, për të cilin tha se, megjithëse jemi relativisht të rinj në program, mbi 32 veprime aktuale po zhvillohen me pjesëmarrës nga Kosova. Po ashtu, ajo foli edhe për takimin në Prishtinë me pjesëmarrje të grupeve punuese të Institutit të Evropës Juglindore për Teknologjitë e Qëndrueshme (SEEIST), për të harmonizuar më tej bashkëpunimin dhe kontributin tonë në shkencë, inovacion dhe transferimin e teknologjisë brenda rajonit të Ballkanit e më gjerë.

Për punën që po bën Qeveria e Kosovës për avancimin e shkencës dhe inovacionit, ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi punën në dokumentet kryesore strategjike si Strategjia e Specializimit Smart dhe Plani Strategjik i Arsimit 2022-2026 që do të miratohen në muajt në vijim, themelimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës, i cili po harton Programin e ri Kombëtar të Shkencës, rishikimin e Ligjit për Veprimtarinë Shkencore, si dhe Rregulloren që ofron një instrument financiar për mbështetjen e veprimeve të inovacionit në Kosovë përmes skemave të kuponëve.

May be an image of one or more people, people standing and indoor
May be an image of 4 people, people sitting, people standing and indoor
May be an image of 10 people, people standing, indoor and text that says 'European Commission Ministerial Meeting oF the Western Balkans Platforms on Research and Innovation Education and Training 27 28 June 2022 Tirana, Albania'
May be an image of 13 people and people standing

Të ngjashme