Kosova të premten (sot) nis pjesëmarrjen në një tjetër ngjarje të madhe shumësportëshe, ndërsa synimet janë për më tepër sukses se deri më tash.
Në Minsk të Bjellorusisë nisin Lojërat e dyta Evropiane, ndërsa Kosovën e përfaqësojnë 12 sportistë. Por bazuar në cilësinë dhe sukseset e deritashme, medaljet kryesisht priten nga xhudistët, ndërsa arritja te zona e medaljeve e sportistëve të tjerë do të mundë të vlerësohej befasi, shkruan Koha Ditore.
Pesë xhudistët në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” marrin pjesë me normë të fituar, ndërsa shtatë sportistët e tjerë marrin pjesë me ftesë. Kjo e bën dallimin e madh dhe përshkruan dallimin mes xhudistëve dhe të tjerëve. Po ashtu xhudistët kanë të fituara deri më tash të gjitha medaljet që mund të fitohen dhe janë në mesin e pretendentëve kryesorë në Minsk.
Majlinda Kelmendi është kampione olimpike, ka dy tituj të botës, tre të Evropës dhe medalje të bronztë evropiane. Nora Gjakova është kampione aktuale evropiane dhe ka të fituara edhe tri medalje të tjera evropiane. Distria Krasniqi është nënkampione në fuqi evropiane dhe ka plot medalje botërore e evropiane për të reja. Akil Gjakova ka tituj e medalje evropiane për të rinj dhe në nivelin senior është në fazë shpërthimi. Loriana Kuka ka po ashtu tituj e medalje për të reja dhe po kërkon shpërthimin te senioret.
Xhudistët e drejtuar nga mjeshtri Driton Kuka të enjten kanë udhëtuar për në Minsk. Në ceremoninë hapëse, që mbahet të premten mbrëma (sonte), flamurin e Kosovës do ta bartë Akil Gjakova, ndërsa ka mundësi të jetë edhe Loriana Kuka. Por tri xhudistet kryesore, Majlinda, Nora e Distria nuk do të jenë në ceremoni për shkak se garojnë menjëherë të shtunën në mëngjes. Trajneri Kuka nuk ka pranuar që xhudistet të lodhen në ceremoninë disaorëshe, ndërkohë që edhe matja zyrtare është në kohën kur nis ceremonia.