Këshilli Kombëtar për Investime ku marrin pjesë tetë ministra të Qeverisë së Kosovës ka miratuar sot projektin e Ministrisë së Shëndetësisë: Furnizimi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për pajisje mjekësore, në vlerë prej rreth 50 milionë eurove.
Ky projekt i Ministrisë së Shëndetësisë që nënkupton sigurimin e pajisjeve mjekësore për institucionet e kujdesit dytësor dhe tretësor shëndetësor do të realizohet përmes formave të përshtatshme të financimit me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në periudhën e ardhshme.
Projekti ka për qëllim financimin e jashtëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore në disa prej klinikave të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme, sigurimin e programit për menaxhimin e pajisjeve mjekësore për të përcjellë ciklin jetësor të gjitha pajisjeve në ShSKUK dhe përmirësimin e infrastrukturës mjekësore .
Projekti është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe iu ka nënshtruar një vlerësimi edhe nga fondacioni amerikan Project Hope.