Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për rimbursimin në formë të kompensimit për pjesëmarrësit të cilët i kanë tërhequr 10% të kursimeve pensionale, e kjo do të përcaktohet në çdo vit fiskal duke filluar nga viti 2023, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se rimbursimi do ta fillojë nga viti 2023 derisa ka kërkuar që të aprovohet kjo pikë.
“Rrjedh si obligim nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Propozim vendimi i kësaj pike rimbursimi të fillojë nga viti 2023, kjo metodologji siguron qëndrueshmëri fiskale”.
Tutje, të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë:
Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Grupit Punues ndërinstitucional për rishikimin e Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës 2021-2030, ka qenë i pari i miratuar në mbledhjen e sotme. Me ndryshimet e bëra, Shefi i Stafit në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës është kryesues i grupit punues, ndërsa këshilltari për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes i kryeministrit është zëvendës-kryesues i Grupit Punues dhe z.Hajriz Sejdiu nga Qendra për Menaxhimin e Emergjencave, anëtar. Afati i rishikimit të Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës është deri më 1 shtator 2021, nga dita e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.
Në vazhdim të mbledhjes, ka marrë miratimin Projektligji për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për Financimin e Projektit për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Me këtë Ligj ratifikohet marrëveshja në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.
Është miratuar në vazhdim të mbledhjes edhe vendimi për shtyrjen e afatit për katër (4) muaj për të paraqitur Draftin e Strategjisë se Qeverisjes Elektronike për miratim ne Qeveri. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarr hapat e nevojshëm për finalizimin e draft-strategjisë për qeverisjen elektronike.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar nëntë (9) nisma për negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare:
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin Vjetor të Statistikave për vitin 2020, sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren e Punës së Qeverisë. Raporti përmban të gjitha të dhënat e nevojshme dhe në përputhje me legjislacionin që rregullon funksionimin e statistikave në vendin tonë. Pas miratimit nga Qeveria ky raport dërgohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme Projekt-udhëzimin Administrativ për Regjistrimin e Zyrave së Përfaqësisë të Shoqërive të Huaja Tregtare, që është kërkesë e Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe përmes tij përcaktohet procedura e regjistrimit të zyrave përfaqësuese të shoqërive të huaja tregtare në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.
Pas shqyrtimit, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Drafti i Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike për vitin 2021, i cili synon arritjen e rezultateve në fushat:
Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, Bedri Zyberaj, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, emërohet anëtar i këtij Këshilli.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për rimbursimin në formë të kompensimit për pjesëmarrësit të cilët i kanë tërhequr dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, duke filluar nga viti 2023. Shuma e rimbursuar për çdo vit fiskal deri në masën e përcaktuar me Ligjin për ndarjet buxhetore në vitin fiskal përkatës. Janë 372,650 persona përfitues në shumën totale 101,772,415.81 Euro.
Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për Krijimin e Komitetit Nacional Koordinues për hartimin e Planit Nacional të Veprimit për vitet 2022-2024, në kuadër të partneritetit për qeverisje të hapur. Vendimi obligon Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të fillojë me procedurat e krijimit dhe të udhëheqjes së këtij Komiteti në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.
Në mbyllje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar anëtarët e kabinetit për angazhimin e tyre në përgatitjen e raportit të punës për 100 ditët e para të kësaj Qeverie. Kryeministri ka theksuar se qytetarët e vendit duhet të informohen për gjithë punët dhe arritjet e këtij kabineti në funksionimin 100 ditor të Qeverisë së Kosovës, në këtë mandat.