Egzon Azemi, asamblist nga Vetëvendosja, ka konsideruar se varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova është shumë luksoz, ndërkaq varrezat e dëshmorëve kanë mbetur jashtë kujdesit. Këto komente ai i ka bërë gjatë mbledhjes së komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
“Fatkeqësisht duhet gjithsesi me përmend se edhe ekzekutivi i tanishëm se më për LDK-në nuk po flasim, se e dimë historikisht çka ka mendu për UÇK-në, mirëpo edhe kjo qeverisje e tanishme është duke e degradu çdo vlerë kombëtare. Te shtatorja e Zahir Pajazitit ende nuk është vendosur një flamur kombëtar dhe pse ka pasur premtime”.
“Varrezat në Velani janë pamja më e qartë se çfarë ka ndodhur me ushtarët e UÇK-së dhe çfarë ka ndodhur me figurat tjera. Aty është i varrosur Ibrahim Rugova dhe të gjithë mundemi me pa se çfarë varri luksoz sot ka dhe fatkeqësisht nëse shikon varrezat e dëshmorëve është për me të ardhë keq, për këto çështje ekzekutivi nuk duhet t’i mbyllë sytë”, tha ai.
Asamblisti i PDK-së, Migjen Shala, tha se duhet të hiqet emri i Adem Jasharit në parkun ku qëndron një obelisk që nuk përkon me emrin, raporton Ekonomia Online.
“Ju kisha lut që të kihet parasysh sheshi “Adem Jashari” edhe shtatorja. Na nuk jemi kundër, Adem Jashari ka vdekur për këtë vend. Na jemi për obileskun, por për sheshin “Adem Jashari” duhet të mbahet një seancë dhe t’i rregullojmë këto gjëra ose të ia heqim këtij sheshi emrin “Adem Jashari””.
Halim Halimi nga LDK tha se LDK e mbështet edhe vendosjen e bustit të Adem Jasharit në shesh.
“Ne e kemi në pikë të rendit të ditës obeliskun dhe për sheshin “Adem Jashari” na si LDK kemi vendosë në 2005-2006 dhe kemi thënë se sheshi është aty dhe le të vihet busti aty”, tha ai.
Me 40 vota për është miratuar propozimi për caktimin e lokacionit për vendosjen e obeliskut në përkujtim të pjesëtarëve të KFOR-it dhe të NATO-s.