“Mish i bluar, barna, lepuj”, policia kap mallra të kontrabanduar në kufirin Kosovë-Serbi

Prishtinë | 31 Maj 2022 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka ndaluar gjithsej gjashtë persona me dyshimin se kanë tentuar të fusin mallra të kontrabanduar në rajonin e Gjilanit në dy raste, përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

Përkundër tentativës për t’iu shmangur ndalimit policor, të dyshuarit janë ndaluar së bashku me mallin e kontrabanduar.

“Fillimisht njësia e task forcës bazuar në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente ka identifikuar një traktor me rimorkio të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, ku në të janë gjetur mallra si: mish i bluar, barna, pije alkoolike, pula, lepuj dhe zogj (pëllumba)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa në rastin e dytë është kapur një person i cili po vëzhgonte rrugën teksa pas tij me traktor me rimorkio ishte i dyshuari mashkull kosovar i cili po ashtu kishte të ngarkuar mallra s: pije alkoolike (birra), pesticide të ndryshme, karrige të çmontuara, mjete piroteknike, alkool, verë të kuqe dhe verë të bardhë.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare – Lindje së bashku me Hetimet Rajonale- Gjilan.

Me urdhër të prokurorit kompetent për gjashtë personat e përfshirë në të dyja rastet është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor për numërim dhe vlerësim të mallit nga ana e Doganës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka thënë se intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren me synim të parandalimit të futjes së mallrave të kontrabanduar në Kosovë.

Të ngjashme