Misioni i SHBA-së në NATO: Kujdesshëm po marrim hapa për forcimin e KFOR-it në Kosovë

Prishtinë | 28 Nën 2023 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Misioni i SHBA-së në NATO, është duke ndërmarrë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftim në profilin e tyre në platformën “X”.

“NATO po ndërmerr hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR të ketë forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin e saj të OKB-së në mënyrë të paanshme. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha mandat KFOR-it në 1999 për të pasur një mision paqeruajtës neutral”, thuhet në njoftim.

Më tej misioni i SHBA-së ka shtuar se KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e një Kosove gjithëpërfshirëse, demokratike dhe multi-etnike.

“Në Forumin Ministror, aleatët diskutuan situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe përsëritën mbështetjen e tyre të palëkundur për misionin e KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme