Komuna e Mitrovicës së shpejti do të fillojë punët për rregullimin e shtratit të lumit Ibër, që si projekt kap vlerën e rreth katër milionë eurove.
Sipas njoftimit nga komuna, rregullimi i shtratit të lumit do t’ia shtojë akoma hijeshinë qytetit të Mitrovicës duke e bërë më atraktiv për vizitorët.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, bashkë me përfaqësuesit e kompanisë së kontraktuar për hartimin e projekteve të ndryshme, ka dalë në vendin ku parashihet të realizohet projekti, “për të dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tij në projektin ideor para se ai të shndërrohet në projekt konkret për realizim”.
Projekti “Rregullimi i shtratit të lumit Ibër”, përveç rregullimit të shtratit të lumit, përfshin edhe rregullimin e këtij lumit, ashtu sikur që është vepruar më parë më rregullimin e pjesës nga ura kryesore mbi lumin Ibër, deri tek vigu që lidh tre rrokaqiejt e pjesës veriore me pjesën jugore të qytetit.
Sipas komunës së Mitrovicës, projekti pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.