Mitrovica e jugut ndan 900 mijë euro për investime në fushën e arsimit

Mitrovica e jugut | 31 Gus 2023 | 13:18 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

900 mijë euro është shuma që ka ndarë Mitrovica e jugut për investime kapitale në fushën e arsimit. Kjo shumë dedikohet për meremetime nëpër shkollat fillore dhe të mesme, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për medie të enjten, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës së jugut, Drita Kadriu, ka thënë se investimi këtë vit është rekord, krahasuar me vitet paraprake.

Ajo deklaroi se krahas meremetimeve, janë kryer edhe nevoja tjera nëpër shkolla të ndryshme të kësaj komune.

“Këtë vit buxheti për investime kapitale në sektorin e arsimit është rritur në më shumë se 900. 000 euro për dallim nga viti 2021 që ishte 130 mijë ose për dallim nga 2022 që ishte diku 350. 000 euro. Çka ka ndodhur me investimet kapitale është se kemi vazhduar me pjesën e dytë të meremetimit të kopshtit ‘Gëzimi ynë’, vazhdojmë me termoizolimin shkollës si pjesë e dytë të shkollës ‘Skënderbeu’. Vërtet kanë pasur shumë nevojë shkollat për meremetim. E kemi meremetuar shkollën ‘Çajupi’, ‘Eqrem Çabej’, ‘Anton Z Çajupi’, ‘Hasan Prishtina’, ‘Bislim Imeri’, etj”, deklaroi ajo.

Kadriu përmendi edhe disa nga arritjet e Drejtorisë që ajo e drejton. Ajo u shpreh se aktivitetet që i kanë përfunduar nxënësit kanë qenë në kuadër të zhvillimit të kompetencave karshi fushave të ndryshme.

“Kemi bërë funksionale komisionin e fëmijëve me nevoja të veçanta, janë vlerësuar diku 46 fëmijë, kuvendi e ka aprovuar edhe kodin e dukjes, sjelljes dhe veshjes së mësimdhënësve. Kemi draftuar rregulloren për bursa për nxënësit e shkollës teknike. Gjithashtu kemi organizuar aktivitete që janë lidhur drejtpërdrejt me kornizën e kurrikulës siç është për shembull i kemi dedikuar festën e Pavarësisë, zhvillimit të karrierës së nxënësve, duke bërë moton ‘Shtet im e ardhmja ime’, kemi bërë festën e ‘1 Qershorit’, festës së fëmijëve, organizime për sport ‘Festojmë me sport’, dhe këto aktiviteteve janë në kuadër të zhvillimit të kompetencave të nxënësve karshi fushave dhe kompetencave të kurrikulës”, u shpreh Kadriu përcjell EO.

Të ngjashme