Mitrovica, nikoqire e përfaqësuesve të diasporës shqiptare nga 26 vende

Prishtinë | 21 Maj 2018 | 09:35 | Nga

Përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga 26 shtete të ndryshme kanë vizituar të dielën Mitrovicën.

Më këtë rast ata janë pritur edhe nga nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka dhe Nehat Bahtiri, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, njofton komuna.

Ata bashkatdhetarë që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme perëndimore kanë ardhur në Kosovë për të marrë pjesë në Konferencën e parë “Diaspora flet” që është mbajtur në Prishtinë, në organizmi të OJQ “Germin”, ndërsa që në “Ditën e Komunave”, udhëhequr nga përfaqësuesja e OJQ “Germin”, kanë vizituar Mitrovicën, për të cilën ata kanë qenë më së shumti të interesuar.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka mirëpritur mysafirët duke i falënderuar për kontributin e jashtëzakonshëm për vendlindjet e tyre, Kosovën dhe shqiptarinë në përgjithësi.

“Ndryshimet e mëdha pozitive në Mitrovicë kanë filluar të ndodhin nga viti 2013, kur vërehet një përmirësim i theksuar i situatës politike, të sigurisë dhe të përgjithshme. Sot Mitrovica është një ndër qytetet më të sigurta të vendit, ku ka rënë në mënyrë drastike krimi dhe dukuritë negative. Është rregulluar mjaftë mirë infrastruktura e brendshme e qytetit dhe në viset rurale, ndërsa që janë bërë hapa të mirë në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik”, ka thënë nënkryetari Mujka.

Sipas tij, qyteti ka ndryshuar tërësisht pamjen me rregullimin e shëtitores kryesore të saj, pastaj me ndërtimin e liqenit artificial në Suhadoll, është bërë vend atraktiv që po tërheq vizitorë të shumtë, ndërsa që na aspektin ekonomik është në funksionalizim të plotë Zona industriale në Frashër, ku tanimë janë ndarë troje për 20 kompani që janë duke ndërtuar kapacitete prodhuese-shërbyese në fusha të ndryshme. Njëra prej tyre, “Bunjamini”, tanimë ka filluar atje prodhimin dhe prodhimet e saj dominojnë në Kosovë dhe eksportohen jashtë vendit.

“Po punojmë shumë edhe për krijimin e kushteve të favorshme për investime dhe të diasporës shqiptare dhe për t’u lehtësuar atyre punën, do të hapim e edhe një Zyrë për mërgimtarët tanë, me qëllim që ata të jenë sa më mirë të informuar për mundësitë që po ofron komuna për investime dhe për rregullim sa më të shpejtë të dokumentacionit të nevojshëm”.

“Bashkatdhetarët tanë ishin mjaftë të interesuar për të ditur sa më shumë për Mitrovicën, andaj edhe shtruan mjaft pyetje, në të cilat u përgjigj nënkryetari Mujka, me të cilat ata u ndanë të kënaqur”, thuhet në kumtesë.

Të ngjashme