Mjekët e Qendrës së vaksinimit në Podujevë refuzojnë ta vaksinojnë gruan shtatzënë

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Në qytetin e Podujevës, V.D, emër i njohur për redaksinë, e cila është shtatzënë në muajin e pestë, nuk është vaksinuar ende kundër COVID19. Jo pse ajo nuk kishte vullnet për ta marrë vaksinën por sepse mjekët në qendrën e vaksinimit në Podujevë, më konkretisht në sallën e sportit të shkollës Xheladin Rekaliu, nuk ia dhanë vaksinën. Me arsyetimin se nuk guxojnë të marrin përgjegjësi për të dhe beben.

Para një muaji, shtatëzënja V.D kishte shkuar për ta marrë vaksinën kundër Covid-19, në Qendrën e Vaksinimit në Podujevë. Ajo ka treguar për Gazetën Insajderi se mjekja në këtë ka refuzuar rreptësisht që të ia japë vaksinën, përkundër që gruaja në fjalë nuk ka pas asnjë komplikim të shtatzanisë.

Ajo paraprakisht ishte konsultuar me gjinekologun e saj dhe se ai i ka rekomanduar ta marrë vaksinën.

“Ne fillim si shkum një mjeke e re aty e diti që unë jam shtatzanë edhe më tha, jo jo çfare unë vaksinë nuk të dha, se unë kurrfarë përgjegjesie nuk muj me të jep, me t’i ndodh diçka bebes”, thotë V.D t`i ketë thënë mjekja aty.

Për këtë rast ka folur edhe bashkëshorti i V.D. Ai tha se u konsultua me të paktën edhe tre mjekë që kishin qenë në ndërrim. Asnjëri prej tyre siç thotë ai nuk kishte pranuar t’ia japë vaksinën bashkëshortes së tij.

“Te tre mjekë ren kemi shku, te tretë refuzun me ja jep vaksinën, kur kalum te mjeku i tretë ai na tha po unë ja jepi, edhe tu ec me u ul te vendi ku i jepin vaksinat, u doke shumë i dyshimt ku edhe ai tha jo as unë nuk muj marr përgjegjësi”.

“Ai mandej iu drejtua grus edhe i tha – “si motrës po të thom rri mrena, kallxoju tanve mos të vin as mos ju shko, mbroju prej Covidi, se unë vaksinë nuk guxoj me të dhanë”, e citon t`i ketë thënë mjeku bashkëshortit të gruas nga Podujeva.

Gazeta lidhur me këtë rast ka kontaktuar Drejtorin e Shëndetësisë në komunën e Podujevës, Driton Veliu mirëpo deri në publikimin e këtij teksti ai nuk ka dhënë asnjë përgjigjëje.

Gazeta ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Nga zyra për informim në këtë insitucion thanë se me vendimin që është marrë nga MSH është bërë e qartë se vaksinimi i shtatzënave dhe lehonave duhet të bëhet pa asnjë hezitim nga vetë gratë shtatëzëna dhe mjekët.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Shoqata e Obsteterve dhe Gjinekologëve të Kosovës e kanë bërë të qartë se vaksinimi i shtatzënave dhe lehonave duhet të bëhet pa asnjë hezitim, për faktin se dobitë nga vaksinimi si për shtatzënat ashtu edhe për lehonat janë pa krahasimisht më të mëdha se sa efektet e mundshme anesore”, thanë Ministria e Shëndetësisë.

Të ngjashme