Punonjësit shëndetësorë kanë hy në grevë të përgjithshme, me kërkesat që Projektligji për Pagat të shkojë sa më parë në Kuvend dhe të fillojë implementimi nga viti i ardhshëm, raporton Ekonomia Online.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë ofruar vetëm shërbime emergjente ka bërë të ditur kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla.
Syla paralajmëroi se greva do të vazhdojë nëse nuk reflekton Qeveria, duke shtuar se do të kenë bashkëpunim edhe me sindikatat tjera për veprime edhe më radikale.
Ai theksoi se disa muaj më parë ka kërkuar të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
“Greva ka filluar me të vetmen arsye, pas shumë tendencave për dialog social për bisedime që i kemi ba pothuajse 6-7 muaj me kryeministrin, i cili nuk ka pranuar të diskutoj. Është qëllimi i vetëm Ligji i Pagave dhe ky ligj duhet të vijë në koordinim me sindikatat dhe të shkojë sa më shpejtë në Parlament dhe të shkoj në projektbuxhet. Siç e dini sot projektbuxheti është në lexim të parë dhe për fat të keq nuk i kanë marrë parasysh kërkesat tona dhe ai projektbuxhet nuk parasheh rritjen e pagave dhe as rritje të tjera”.
“Fillimisht neve do të provojmë edhe njëherë deri të enjten tjetër të japim një afat kohorë që qeveria të reflektoj, ti ftoj dhe të punoj për këtë ligj dhe nëse jo atëherë jemi në koordinim me të gjitha sindikatat tjera, me SBAShK me sindikatën e policisë, me sindikatën e shërbyeseve publik, me sindikatën e zjarrfikëseve, me sindikatën e shërbyesve civil, me gardian, me dogana dhe me siguri do të jetë një veprim i përbashkët për të cilin unë tash nuk mund të flas sepse kjo do të shkojë në koordinim të plotë me ta”, tha Syla në një prononcim për Ekonomia Online.
Sa i përket reagimit të pacientëve për mos ofrimin e shërbime Syla tha se nuk po bëjnë asgjë më shumë veç se po i mbrojnë të drejtat e punëtorëve shëndetësorë.
“Mua më vije keq shumë prej pacientëve, mire po pacientët duhet me ditë se edhe neve jemi familjarë, kemi familje dhe unë jam këtu me i mbrojtur të drejtat e punëtorëve shëndetësorë të cilët janë të anashkaluar dhe këta të ashtuquajturit heronjtë sot janë kthyer në kriminel nga ana dikujt”, tha Syla.
Rifete Azemi për Ekonomia Online tha se edhe përkundër grevës për të është gjithçka në rregull.
“Për momentin kesh jashtë se patë vizitë, vizita e mjekëve për pacientë. Tash erdha te dera, tentuan mos me më lënë po kur i tregova menjëherë më lan. Krejt është krejt OK”, u shpreh ajo.
Fikrije Salijaj, paciente në një nga repartet në QKUK falënderoi mjekët për punën që po bëjnë.
“Mirë shumë po na kanë ardh, prej 06:00 ja kanë nis tu ardh, shtypjen, sheqerin krejt tash veç vizitën jemi tu prit”.
“Kanë punë boll valla, boll punë kanë veç që çka kanë mundësi bëjnë që s’munden, me zor kurrkush nuk mundet”.
Qemajl Thaçi u shpreh se duhet dhënë më shumë vëmendje mjekësisë e se për të punëtorët shëndetësorë janë heronj.
“Sa kam qenë unë dy ditë e kam pa shumë në nivel më të lartin që na I kanë bërë vizitat e këta e meritojnë. Janë heronjtë, për mua janë heronjtë për tjetër kënd nuk e di. Me pas mundësi si shteti unë kafshatën teme e jap gjysmën”.
“Gjysmën e pagës teme ua kisha dhuruar. Pse ?, po janë këta njerëz që të rrijnë te fryma, te goja të vijke, pa kurrfarë problemi. Unë nuk e di me këtë shtet se qysh mendon e qysh vepron. Këta janë heronjtë tonë”.